← Numbers (31/36) → |
1. | Pastaj Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: "Merrua hakun bijve të Izraelit kundër Madianitëve; |
2. | pas kësaj do të bashkohesh me popullin tënd". |
3. | Atëherë Moisiu i foli popullit, duke thënë; "Disa njerëz ndër ju të armatosen për luftë dhe të marshojnë kundër Madianit për të kryer hakmarrjen e Zotit mbi Madianin. |
4. | Do të dërgoni në luftë një mijë burra nga çdo fis, nga të gjitha fiset e Izraelit". |
5. | Kështu u rekrutuan ndër divizionet e Izraelit një mijë burra nga çdo fis, domethënë dymbëdhjetë mijë burra, të armatosur për luftë. |
6. | Pastaj Moisiu i nisi për luftë, njëmijë njerëz nga çdo fis, së bashku me Finehasin, birin e priftit Eleazar, që kishte në dorë veglat e shenjta dhe boritë e alarmit. |
7. | Dhe luftuan kundër Madianit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, dhe vranë tërë meshkujt. |
8. | Bashkë me viktimat që ata bënë, ata vranë edhe mbretërit e Madianit: Evin, Rekemin, Tsurin, Hurin dhe Reban, pesë mbretërit e Madianit; vranë gjithashtu me shpatë Balaamin, birin e Beorit. |
9. | Bijtë e Izraelit zunë robinja edhe të gjitha gratë e Madianit dhe fëmijët e tyre, rrëmbyen tërë bagëtinë e tyre, tërë kopetë e tyre dhe tërë pasuritë e tyre; |
10. | pastaj u vunë zjarrin të gjitha qyteteve ku ata banonin dhe të gjitha kalave të tyre, |
11. | dhe morën gjithë plaçkën e luftës dhe tërë prenë, njerëz dhe kafshë: |
12. | pastaj i çuan të burgosurit, prenë dhe plaçkën e luftës Moisiut, priftit Eleazar dhe asamblesë së bijve të Izraelit, që ishin vendosur në fushat e Moabit, pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos. |
13. | Moisiu, prifti Eleazar dhe të gjithë prijësit e asamblesë dolën për t'i takuar jashtë kampit. |
14. | Por Moisiu u zemërua me komandantët e ushtrisë, me krerët e mijësheve dhe të qindësheve, që po ktheheshin nga kjo fushatë lufte. |
15. | Moisiu u tha atyre: "Keni lënë gjallë të gjitha gratë? |
16. | Të nxitura nga Balaami, ato i shtynë bijtë e Izraelit të mëkatojnë kundër Zotit, në ngjarjen e Peorit, kur shpërtheu fatkeqësia në asamblenë e Zotit. |
17. | Prandaj vrisni çdo mashkull nga fëmijët dhe vrisni çdo grua që ka marrëdhënie seksuale me një burrë, |
18. | por ruajini të gjalla për vete të gjitha vajzat që nuk kanë pasur marrëdhënie seksuale me burra. |
19. | Ju do të qëndroni jashtë kampit shtatë ditë; kushdo që ka vrarë dikë dhe kushdo që ka prekur një person të vrarë, do të pastrohet ditën e tretë dhe ditën e shtatë; ky rregull vlen si për ju ashtu dhe për robërit tuaj. |
20. | Do të pastroni gjithashtu çdo rrobë, çdo send prej lëkure, çdo punë të bërë me leshin e dhisë dhe çdo vegël prej druri". |
21. | Pastaj prifti Eleazar u tha ushtarëve që kishin shkuar në luftë: "Kjo është rregulla e ligjit që Zoti i ka përcaktuar Moisiut: |
22. | vetëm arin, argjendin, bronzin, hekurin, kallajin dhe plumbin, |
23. | çdo gjë që i reziston zjarrit, do ta kaloni nëpër zjarr dhe do të bëhet i pastër; por do të pastrohen edhe me ujin e pastrimit kundër papastërtisë; ndërsa tërë gjërat që nuk mund t'i rezistojnë zjarrit, do t'i trajtoni me ujë. |
24. | Dhe ditën e shtatë do të lani rrobat tuaja dhe do të jeni të pastër; pas kësaj mund të hyni në kamp". |
25. | Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: |
26. | "Ti, me gjithë priftin Eleazar dhe me kryefamiljarët e asamblesë, llogarite tërë plaçkën e zënë, njerëzit dhe bagëtinë; |
27. | dhe ndaje plaçkën midis atyre që kanë marrë pjesë në luftë dhe që kanë vajtur të luftojnë dhe gjithë asamblesë. |
28. | Do të marrësh nga luftëtarët që kanë vajtur të luftojnë një haraç për Zotin; domethënë një të pesëqindtën e personave, të bagëtive të imta dhe të trasha dhe të gomarëve. |
29. | Do të marrësh nga gjysma e tyre dhe do t'ia japësh priftit Eleazar si një ofertë për Zotin. |
30. | Dhe nga gjysma që u takon bijve të Izraelit do të marrësh një të pesëdhjetën e personave, të bagëtisë së imët dhe të trashë dhe nga gomarët do t'u japësh Levitëve, që kanë përgjegjësinë e tabernakullit të Zotit". |
31. | Dhe Moisiu e prifti Eleazar vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
32. | Dhe plaçka që mbetej nga plaçkitja e kryer nga luftëtarët përbëhej nga gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë dele, |
33. | shtatëdhjetë e dy mijë lopë, |
34. | gjashtëdhjetë e një mijë gomarë, |
35. | dhe tridhjetë e dy mijë persona gjithsej, domethënë gra që nuk kishin pasur marrëdhënie seksuale me burra. |
36. | Gjysma, domethënë pjesa për ata që kishin shkuar në luftë, ishte treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind dele, |
37. | nga të cilat gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë për haraçin e Zotit; |
38. | tridhjetë e gjashtë mijë lopë, nga të cilat shtatëdhjetë e dy për haraçin e Zotit; |
39. | tridhjetë mijë e pesëqind gomarë, nga të cilët gjashtëdhjetë e një për haraçin e Zotit; |
40. | dhe gjashtëmbëdhjetë mijë persona, nga të cilët tridhjetë e dy për haraçin e Zotit. |
41. | Kështu Moisiu i dha haraçin, që ishte oferta e ngritur e Zotit, priftit Eleazar, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti. |
42. | Gjysma që u përkiste bijve të Izraelit, që Moisiu kishte ndarë nga pjesa që u takonte njerëzve që kishin shkuar në luftë, |
43. | gjysma që i përkiste asamblesë, ishte treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind dele, |
44. | tridhjetë e gjashtë mijë lopë, |
45. | tridhjetë mijë e pesëqind gomarë, |
46. | dhe gjashtëmbëdhjetë mijë persona. |
47. | Nga gjysma që u përkiste bijve të Izraelit, Moisiu mori një të pesëdhjetën e njerëzve dhe të kafshëve, dhe ua dha Levitëve të cilët kanë përgjegjësinë e tabernakullit të Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
48. | Komandantët e mijësheve të ushtrisë, krerët e mijësheve dhe të qindësheve, iu afruan Moisiut; |
49. | dhe ata i thanë Moisiut: "Shërbëtorët e tu kanë bërë llogarinë e luftëtarëve që ishin nën urdhrat tona, dhe nuk mungonte asnjëri prej tyre. |
50. | Prandaj ne po sjellim, si ofertë për Zotin, sendet e arit që secili ka gjetur: zinxhirë, byzylykë, unaza, vathë dhe gjerdanë për të bërë shlyerjen për ne përpara Zotit. |
51. | Kështu Moisiu dhe prifti Eleazar morën nga duart e tyre tërë objektet e punuara. |
52. | Tërë ari i ofertës që ata i paraqitën Zotit nga ana e krerëve të mijësheve dhe nga ana e krerëve të qindëshëve, peshonte gjashtëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë sikla. |
53. | (Njerëzit e ushtrisë mbajtën për vete plaçkën që kishin siguruar). |
54. | Moisiu dhe prifti Eleazar morën pastaj arin nga krerët e mijëshëve dhe të qindësheve dhe e çuan në çadrën e mbledhjes, si kujtim i bijve të Izraelit përpara Zotit. |
← Numbers (31/36) → |