| ← Zechariah (2/14) → |
| 1. | I ngrita mandej sytë dhe shikova dhe ja, një burrë që mbante në dorë një litar për matje. |
| 2. | E pyeta: "Ku po shkon?". Ai m'u përgjigj: "Po shkoj të mas Jeruzalemin, për të parë sa është gjerësia e tij dhe sa është gjatësia e tij". |
| 3. | Dhe ja, engjëlli që fliste me mua doli përpara dhe një engjëll tjetër i doli përballë, |
| 4. | dhe i tha: "Rend, foli atij të riu dhe i thuaj: Jeruzalemi do të jetë i banuar si një qytet pa mure, për shkak të morisë së njerëzve dhe të kafshëve që do të jenë në të. |
| 5. | Sepse unë", thotë Zoti, "do të jem për të një mur zjarri rreth e qark dhe do të jem lavdia e tij në mes të tij". |
| 6. | Oh, oh! "Ikni nga vendi i veriut", thotë Zoti, "sepse ju kam shpërndarë si katër erërat e qiellit", thotë Zoti. |
| 7. | Oh, Sion, siguro shpëtimin, ti që banon bashkë me bijën e Babilonisë! |
| 8. | Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Lavdia e tij më ka dërguar te kombet që ju kanë plaçkitur, sepse ai që ju prek prek beben e syrit të tij. |
| 9. | Ja, unë do ta tund dorën time kundër tyre dhe ata do të bëhen pre e atyre që u ishin nënshtruar atyre; atëherë do të pranoni që më ka dërguar Zoti i ushtrive. |
| 10. | Lësho klithma gëzimi, gëzohu, o bijë e Sionit, sepse ja, unë do të vij, të banoj midis teje", thotë Zoti. |
| 11. | "Atë ditë shumë kombe do të bashkohen me Zotin dhe do të bëhen populli im, dhe unë do të banoj midis teje; atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ti. |
| 12. | Dhe Zoti do të marrë në zotërim Judën si trashëgimi të tij në tokën e shenjtë dhe do të zgjedhë akoma Jeruzalemin. |
| 13. | Çdo mish le të heshtë përpara Zotit, sepse ai është zgjuar nga selia e tij e shenjtë". |
| ← Zechariah (2/14) → |