← Romans (4/16) → |
1. | Çfarë do të themi, pra, në lidhje me atë që ati ynë Abrahami, ka përfituar sipas mishit? |
2. | Sepse nëse Abrahami ishte shfajësuar nëpërmjet veprave, ai ka përse të lëvdohet; ndërsa përpara Perëndisë ai nuk ka asgjë për t'u lëvduar. |
3. | Në fakt, çfarë thotë Shkrimi? ''Por Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi''. |
4. | Edhe atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh; |
5. | ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi. |
6. | Sikurse Davidi shpall lumturinë e njeriut të cilit Perëndia numëron drejtësi pa vepra, duke thënë: |
7. | ''Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar. |
8. | Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t'ia numërojë mëkatin''. |
9. | Por kjo lumturi a vlen vetëm për të rrethprerët, apo edhe për të parrethprerët? Sepse ne themi se besimi iu numërua Abrahamit si drejtësi. |
10. | Në ç'mënyrë, pra, iu numërua? Kur ai ishte i rrethprerë apo i parrethprerë? Jo ndërsa ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë. |
11. | Pastaj mori shenjën e rrethprerjes, si vulë të drejtësisë për besimin që kishte patur kur ishte akoma i parrethprerë, me qëllim që të ishte ati i gjithë atyre që besojnë edhe se janë të parrethprerë, me qëllim që edhe atyre t'u numërohet drejtësia, |
12. | dhe të ishte atë i të rrethprerëve të vërtetë, pra i atyre që jo vetëm janë të rrethprerë, por që ndjekin edhe gjurmët e besimit të atit tonë Abrahamit, që ai pati ndërsa ishte i parrethprerë. |
13. | Në fakt premtimi për të qenë trashëgimtar i botës nuk iu bë Abrahamit dhe pasardhësve të tij nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet drejtësisë së besimit. |
14. | Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë të ligjit, besimi bëhet i kotë dhe premtimi anulohet, |
15. | sepse ligji prodhon zemërimin; në fakt atje ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje. |
16. | Prandaj trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit, me qëllim që premtimi të jetë i siguruar për të gjithë pasardhësit, jo vetëm për atë që është nga ligji, por edhe për atë që vjen nga besimi i Abrahamit, i cili |
17. | (siç është shkruar: ''Unë të kam caktuar atin e shumë kombeve''), është ati i të gjithë neve para Perëndisë që ai besoi, i cili i jep jetë të vdekurve dhe thërret gjërat që nuk janë sikur të ishin. |
18. | Ai, duke shpresuar kundër çdo shprese, besoi për t'u bërë ati i shumë kombeve sipas asaj që i ishte thënë: ''Kështu do të jetë pasardhja jotë''. |
19. | Dhe, duke mos qenë aspak i dobët në besim, nuk i kushtoi kujdes trupit të tij, i bërë tashmë si i vdekur (ishte pothuaj njëqind vjeç) as barkut të vdekur të Sarës. |
20. | Madje as nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë, por u përforcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë, |
21. | plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte. |
22. | Prandaj edhe kjo iu numërua atij për drejtësi. |
23. | E po nuk u shkrua vetëm për të, që kjo i ishte numëruar, |
24. | por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë, |
25. | i cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë. |
← Romans (4/16) → |