← Romans (3/16) → |
1. | Cila është, pra, përparësia e Judeut, ose cila është dobia e rrethprerjes? |
2. | E madhe në çdo mënyrë; para së gjithash sepse orakujt e Perëndisë iu besuan atyre. |
3. | Ç'të thuash atëherë? Në qoftë se disa nuk besuan, mosbesimi i tyre do ta anulojë, vallë, besnikërinë e Perëndisë? |
4. | Kurrë mos qoftë; përkundrazi, qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: ''Që ti të shfajësohesh në fjalët e tua dhe të ngadhënjesh kur të gjykohesh''. |
5. | Po në qoftë se padrejtësia jonë e vë në pah drejtësinë e Perëndisë, ç'do të themi? Perëndia qënka i padrejtë kur shfren zemërimin e tij? (Unë flas si njeri). |
6. | Kurrë mos qoftë! Sepse atëherë, si do ta gjykonte Zoti botën? |
7. | Prandaj në qoftë se me anë të gënjeshtrës sime e vërteta e Perëndisë e lartëson lavdinë e tij, përse unë gjykohem akoma si mëkatar? |
8. | E përse të mos themi si disa që, duke shpifur, pohojnë se ne themi: ''Të bëjmë të keqen që të vijë e mira''? Dënimi i këtyre është i drejtë. |
9. | E çfarë pra? A kemi ne ndonjë epërsi? Aspak! E kemi treguar në fakt që më përpara se si Judenjtë ashtu edhe Grekët janë të gjithë nën mëkat, |
10. | siç është shkruar: ''Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. |
11. | Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. |
12. | Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një. |
13. | Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre; |
14. | goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi; |
15. | këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak; |
16. | në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë, |
17. | dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes; |
18. | nuk ka druajtja e Perëndisë para syve të tyre''. |
19. | Por ne e dimë se gjithçka që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t'i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë, |
20. | sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit. |
21. | Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët, |
22. | madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim; |
23. | sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë, |
24. | por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus. |
25. | Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë, |
26. | për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit. |
27. | Ku është, pra, mburrja? Éshtë përjashtuar. Nga cili ligj? Ai i veprave? Jo, por nga ligji i besimit. |
28. | Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit. |
29. | A është vallë Perëndia vetëm Perëndia i Judenjve? A nuk është edhe i johebrenjve? Sigurisht, është edhe Perëndia i johebrenjve. |
30. | Sepse ka vetëm një Perëndi, që do të shfajësojë të rrethprerin nëpërmjet besimit, dhe të parrethprerin me anë të besimit. |
31. | Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin. |
← Romans (3/16) → |