| ← Romans (10/16) → | 
| 1. | Vëllezër, dëshira e zemrës sime dhe lutja që i drejtoj Perëndisë për Izraelin është për shpëtim të tij. | 
| 2. | Sepse unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë. | 
| 3. | Sepse duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë dhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e vet, nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë, | 
| 4. | sepse përfundimi i ligjit është Krishti, për shfajësimin e kujtdo që beson. | 
| 5. | Sepse Moisiu kështu e përshkruan drejtësinë që vjen nga ligji: ''Njeriu që bën këto gjëra, do të rrojë me anë të tyre''. | 
| 6. | Por drejtësia që vjen nga besimi thotë kështu: ''Mos thuaj në zemrën tënde: ''Kush do të ngjitet në qiell?''. Kjo do të thotë që të zbresë Krishti. | 
| 7. | Ose: ''Kush do të zbresë në humnerë?''. Kjo do të thotë që të sjellë lart Krishtin prej së vdekurish. | 
| 8. | Po ç'thotë, pra? ''Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde''. Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë; | 
| 9. | sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh. | 
| 10. | Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim, | 
| 11. | sepse Shkrimi thotë: ''Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet''. | 
| 12. | Sepse nuk ka dallim në mes Judeut dhe Grekut, sepse një i vetëm është Perëndia i të gjithëve, i pasur ndaj të gjithë atyre që e thërrasin. | 
| 13. | Në fakt: ''Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet''. | 
| 14. | Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s'ka kush predikon? | 
| 15. | Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: ''Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!''. | 
| 16. | Por jo të gjithë iu bindën ungjillit, sepse Isaia thotë: ''O Perëndi, kush i besoi predikimit tonë?''. | 
| 17. | Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë. | 
| 18. | Por unë them: Mos nuk dëgjuan? Madje, ''Zëri i tyre mori mbarë dheun dhe fjalët e tyre shkuan deri në skajet më të largëta të tokës''. | 
| 19. | Por unë them: ''Mos nuk e kuptoi Izraeli? Moisiu tha i pari: ''Unë do t'ju shtie në xhelozi me një komb që s'është fare komb; do t'ju bëj të zemëroheni me anë të një kombi të marrë''. | 
| 20. | Dhe Isaia me guxim thotë: ''Unë u gjeta nga ata që nuk më kërkonin, unë iu shfaqa atyre që nuk pyesnin për mua''. | 
| 21. | Por lidhur me Izraelin ai thotë: ''Gjithë ditën i shtriva duart e mia drejt një populli të pabindur dhe kundërthënës''. | 
| ← Romans (10/16) → |