| ← Psalms (94/150) → |
| 1. | O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe. |
| 2. | Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve. |
| 3. | Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë? |
| 4. | Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë. |
| 5. | Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde. |
| 6. | Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët, |
| 7. | dhe thonë: "Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton". |
| 8. | Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar? |
| 9. | Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon? |
| 10. | Ai që ndreq kombet, a nuk do t'i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut? |
| 11. | Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi. |
| 12. | Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd, |
| 13. | për t'i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t'i hapet gropa të pabesit. |
| 14. | Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij. |
| 15. | Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t'i shkojnë pas. |
| 16. | Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi? |
| 17. | Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes. |
| 18. | Kur thashë: "Këmba ime ngurron", mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur. |
| 19. | Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër. |
| 20. | Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit? |
| 21. | Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm. |
| 22. | Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë. |
| 23. | Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t'i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t'i shkatërrojë. |
| ← Psalms (94/150) → |