| ← Psalms (90/150) → |
| 1. | O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi. |
| 2. | Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia. |
| 3. | Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve". |
| 4. | Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë. |
| 5. | Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes. |
| 6. | Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet. |
| 7. | Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt. |
| 8. | Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate. |
| 9. | Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë. |
| 10. | Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t'u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje. |
| 11. | Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje? |
| 12. | Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë. |
| 13. | Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu. |
| 14. | Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona. |
| 15. | Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë. |
| 16. | Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre. |
| 17. | Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona. |
| ← Psalms (90/150) → |