← Psalms (89/150) → |
1. | Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t'u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave. |
2. | Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë". |
3. | "Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë: |
4. | "Do t'i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela) |
5. | Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve. |
6. | Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit? |
7. | Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë. |
8. | O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo. |
9. | Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson. |
10. | Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu. |
11. | Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të. |
12. | Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd. |
13. | Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell. |
14. | Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate. |
15. | Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate; |
16. | do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde. |
17. | Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë. |
18. | Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit. |
19. | Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: "Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli. |
20. | Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë. |
21. | Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë. |
22. | Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë. |
23. | Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë. |
24. | Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm. |
25. | Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë. |
26. | Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit". |
27. | Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut. |
28. | Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme. |
29. | Do t'i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve. |
30. | Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia, |
31. | në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia, |
32. | unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura, |
33. | por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët. |
34. | Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t'i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime. |
35. | Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin; |
36. | pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje, |
37. | do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik". (Sela) |
38. | Por ti na ke braktisur dhe na ke kthyer; je zemëruar shumë kundër të vajosurin tënd. |
39. | Ti ke përçmuar besëlidhjen e lidhur me shërbëtorin tënd dhe ke përdhosur kurorën e tij, duke bërë që të bjerë për tokë. |
40. | Ke shembur gjithë mbrojtjet e tij dhe i ke katandisur në gërmadha kalatë e tij. |
41. | Tërë kalimtarët e kanë plaçkitur dhe ai është bërë gazi i fqinjëve të tij. |
42. | Ke lavdëruar dorën e djathtë të kundërshtarëve të tij dhe ke bërë të gëzohen tërë armiqtë e tu. |
43. | Ke prishur tehun e shpatës së tij dhe nuk e ke ndihmuar në betejë. |
44. | I ke dhënë fund madhështisë së tij dhe ke hedhur për tokë fronin e tij. |
45. | Ke shkurtuar ditët e rinisë së tij dhe e ke mbuluar me turp. (Sela) |
46. | Deri kur, o Zot? A do të fshihesh ti përjetë? A do të flakërojë si zjarr zemërimi yt? |
47. | Kujto sa e shkurtër është jeta ime. Për çfarë kotësie ke krijuar gjithë bijtë e njerëzve? |
48. | Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti Sheolit? (Sela) |
49. | Ku janë, o Zot, mirësitë e tua të lashta, për të cilat iu betove Davidit në besnikërinë tënde? |
50. | Kujto, o Zot, fyerjen që iu bë shërbëtorëve të tu, dhe si unë mbaj në zemër fyerjen e rëndë të të gjitha kombeve, |
51. | me të cilën armiqtë e tu kanë fyer, o Zot, me të cilën kanë fyer hapat e të vajosurit tënd. |
52. | I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen! |
← Psalms (89/150) → |