← Psalms (88/150) → |
1. | O Zot, Perëndi i shpëtimit tim, unë bërtas ditë e natë para teje. |
2. | Arriftë deri te ti lutja ime, vëri veshin britmës time, |
3. | sepse shpirti im është ngopur me të keqen, dhe jeta ime ka arritur deri në Sheol. |
4. | Tanimë përfshihem ndër ata që do të zbresin në gropë, jam si një njeri që nuk ka më forcë. |
5. | Jam braktisur midis të vdekurve ashtu si të vrarët që janë në varr, të cilët ti nuk i mban mend dhe që janë prerë e janë larguar nga dora jote. |
6. | Ti më ke shtënë në gropën më të thellë, në vënde të errëta, në humnerat. |
7. | Mbi mua ka shpërthyer zemërimi yt, dhe ti më ke marrë me vete megjithë valët tua. (Sela) |
8. | Ti më ke lënë pa miqtë e mi; më ke bërë për ta një objekt të neveritshëm; jam mbyllur dhe nuk mund të dal. |
9. | Syri im venitet nga dhembja; të kërkoj çdo ditë, o Zot, dhe i zgjat drejt teje duart e mia. |
10. | A do të bësh vallë mrekulli për të vdekurit? A do të ringjallen të vdekurit për të të lëvduar? (Sela) |
11. | A do të kremtohet mirësia jote në varr dhe besnikëria jote në vendin e shkatërrimit? |
12. | A do të njihen mrekullitë e tua në terr dhe drejtësia jote mbi tokën e harresës? |
13. | Por unë të këlthas ty, o Zot, dhe lutja ime të drejtohet në mëngjes. |
14. | Pse më refuzon, o Zot, pse më fsheh fytyrën tënde? |
15. | Kam qenë i pikëlluar dhe duke vdekur qysh në rini; kam vuajtur nga tmerret e tua dhe e kam humbur. |
16. | Mbi mua ka kaluar zemërimi yt i zjarrtë; tmerret e tua më kanë asgjesuar, |
17. | më kanë rrethuar si ujërat gjatë gjithë ditës dhe të gjitha së bashku më kanë mbytur. |
18. | Ke larguar nga unë miqtë dhe të njohurit e mi; miku im më i ngushtë është errësira. |
← Psalms (88/150) → |