| ← Psalms (83/150) → |
| 1. | O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi! |
| 2. | Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën. |
| 3. | Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron. |
| 4. | Ata thonë: "Ejani t'i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më". |
| 5. | Sepse kanë komplotuar së bashku me një mendje dhe kanë lidhur një besëlidhje kundër teje. |
| 6. | Çadrat e Edomit dhe Ismaelitët, Moabi dhe Hagarenët, |
| 7. | Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistia me banorët e Tiros; |
| 8. | dhe Asiria është bashkuar me ta për të ndihmuar bijtë e Lotit. (Sela) |
| 9. | Vepro me ta ashtu si bëre me Madianin, me Siseran dhe me Jabinin pranë përroit të Kishonit, |
| 10. | të cilët u shkatërruan në Endor dhe u bënë si pleh për tokën. |
| 11. | Bëj që krerët e tyre të jenë si Orebi dhe Zeebi, dhe tërë princat e tyre si Zebahu dhe Tsalmuna, |
| 12. | sepse ata thanë: "Të shtiem në dorë kullotat e Perëndisë". |
| 13. | O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës. |
| 14. | Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet, |
| 15. | kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd. |
| 16. | Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot. |
| 17. | U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin; |
| 18. | dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun. |
| ← Psalms (83/150) → |