← Psalms (78/150) → |
1. | Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime. |
2. | Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta. |
3. | Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar, |
4. | nuk do t'ua fshehim bijve të tyre, por do t'i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë. |
5. | Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t'ua bëjnë të njohura bijve të tyre, |
6. | me qëllim që brezi i ardhshëm t'i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t'ua tregojnë bijve të tyre, |
7. | dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij; |
8. | dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jo besnike ndaj Perëndisë. |
9. | Bijtë e Efraimit, njerëz të luftës, harkëtarë të zotë, kthyen shpinën ditën e betejës, |
10. | nuk respektuan besëlidhjen e Perëndisë dhe nuk pranuan të ecnin sipas ligjit të tij, |
11. | harruan veprat e tij dhe mrekullitë që u kishte treguar. |
12. | Ai bëri mrekulli në prani të etërve të tyre, në vendin e Egjiptit dhe në fushën e Tsoanit. |
13. | Ai e ndau detin dhe i bëri të kalojnë në mes të tij, dhe i mblodhi ujërat si një grumbull. |
14. | Ditën drejtoi me anë të resë dhe tërë natën me një dritë zjarri. |
15. | I çau shkëmbinjtë në shkretëtirë dhe i bëri të pijnë boll, si të ishte uji i humnerës së madhe. |
16. | Nxori rrëket nga shkëmbi dhe bëri që të rridhnin ujëra si lumenj. |
17. | Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij dhe të ngrejnë krye kundër Shumë të Lartit në shkretëtirë, |
18. | dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre. |
19. | Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë? |
20. | Ja, ai e goditi shkëmbin dhe prej tij dolën ujëra dhe vërshuan përrenj. A mund t'i japë bukë dhe mish popullit të tij? |
21. | Dhe kështu Zoti i dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe një zjarr u ndez kundër Jakobit dhe zemërimi kundër Izraelit u ndez, |
22. | sepse nuk i kishin besuar Perëndisë dhe nuk kishin pasur besim në shpëtimin prej tij. |
23. | Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit, |
24. | dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit. |
25. | Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin. |
26. | Ai bëri të ngrihet në qiell era e lindjes dhe në sajë të fuqisë së tij bëri të ngrihet era e jugut, |
27. | bëri të binin mbi ta mish si pluhuri dhe zogj si rëra e detit. |
28. | Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre. |
29. | Kështu ata hëngrën sa u ngopën, sepse Perëndia u kishte siguruar atyre atë që ata kishin dëshiruar. |
30. | Ata nuk kishin akoma kënaqur pangopësinë e tyre dhe kishin akoma ushqim në gojë, |
31. | kur zemërimi i Perëndisë shpërtheu kundër tyre, vrau më të fuqishmit prej tyre dhe rrëzoi më të mirët e Izraelit. |
32. | Megjithatë ata vazhduan të mëkatojnë dhe nuk u besuan mrekullive të tij. |
33. | Atëherë ai harxhoi ditët e tyre në kotësi dhe vitet e tyre në tmerre të papritura. |
34. | Kur i vriste, ata e kërkonin dhe ktheheshin të kërkonin Perëndinë me zell. |
35. | Kujtoheshin që Perëndia ishte Kështjella e tyre dhe që Perëndia shumë i larti ishte Shpëtimtari i tyre. |
36. | Por ata e mashtronin me gojën e tyre dhe e gënjenin me gjuhën e tyre. |
37. | Në fakt zemra e tyre nuk ishte e qëndrueshme ndaj tij dhe ata nuk ishin besnikë ndaj besëlidhjes së tij. |
38. | Por ai, që është i mëshirshëm, ua fali paudhësinë e tyre dhe nuk i shkatërroi, dhe shumë herë përmbajti zemërimin e tij dhe nuk e la indinjatën e tij të shpërthejë, |
39. | duke mbajtur mend që ata ishin mish, një frymë që kalon dhe nuk kthehet më. |
40. | Sa herë provokuan indinjatën e tij në shkretëtirë dhe e hidhëruar në vetmi! |
41. | Po, ata iu drejtuan Perëndisë shumë herë dhe përsëri e provokuan të Shenjtin e Izraelit. |
42. | Nuk e kujtuan më fuqinë e tij as ditën që i kishte çliruar nga armiku, |
43. | kur ai kishte bërë mrekullitë e tij në Egjipt dhe në fushën e Tsoanit; |
44. | i kishte shndërruar lumenjtë dhe rrjedhat e ujit të Egjiptasve në gjak, me qëllim që të mos pinin dot. |
45. | Kishte dërguar kundër tyre mizëri mizash që t'i hanin dhe bretkosa që t'i shkatërronin. |
46. | Ua kishte dhënë të korrat e tyre krimbave dhe frytin e mundit të tyre karkalecave. |
47. | I kishte shkatërruar vreshtat e tyre me breshër dhe fiqtë e tyre të Egjiptit me ngrica. |
48. | Kishte braktisur bagëtinë e tyre në mëshirë të breshërit dhe kopetë e tyre në mëshirë të rrufeve. |
49. | Kishte lëshuar mbi ta zjarrin e zemërimit të tij, indinjatën, inatin dhe fatkeqësinë, një turmë lajmëtarësh të fatkeqësisë. |
50. | I kishte hapur udhën zemërimit të tij dhe nuk i kishte kursyer nga vdekja, por ia kishte braktisur jetën e tyre murtajës. |
51. | I kishte goditur në Egjipt gjithë të parëlindurit dhe prodhimet e para në çadrat e Kamit. |
52. | Por e kishte bërë popullin e tij të ikte si bagëtia dhe e kishte çuar nëpër shkretëtirë sikur të ishte një kope. |
53. | I kishte udhëhequr me siguri dhe ata nuk patën frikë, por deti i kishte përpirë armiqtë e tyre. |
54. | Dhe ai i solli kështu në tokën e tij të shenjtë, në malin që dora e djathtë e tij kishte pushtuar. |
55. | I dëboi kombet para tyre dhe u caktoi atyre me short trashëgiminë, dhe bëri që fiset e Izraelit të banonin në çadrat e tyre. |
56. | Por ata u orvatën dhe provokuan indinjatën e Perëndisë shumë të lartë dhe nuk respektuan statutet e tij. |
57. | U tërhoqën madje prapa dhe u suallën në mënyrë të pabesë ashtu si etërit e tyre, dhe devijuan si një hark që gabon; |
58. | provokuan zemërimin e tij me vendet e tyre të larta dhe e bënë ziliqar me skulpturat e tyre. |
59. | Perëndia dëgjoi dhe u zemërua, dhe ndjeu një neveri të madhe për Izraelin. |
60. | Kështu ai braktisi tabernakullin e Shilohut, çadrën që kishte ngritur midis njerëzve; |
61. | dhe e la forcën e tij të bjerë rob dhe lavdinë e tij në dorë të armikut. |
62. | Ia braktisi popullin e tij shpatës dhe u zemërua shumë kundër trashëgimisë së tij. |
63. | Zjarri i konsumoi të rinjtë e tyre dhe virgjëreshat e tyre nuk patën asnjë këngë dasme. |
64. | Priftërinjtë e tyre u vranë nga shpata dhe gratë e reja nuk mbajtën zi. |
65. | Pastaj Zoti u zgjua si nga gjumi, ashtu si një trim që bërtet nën ndikimin e verës. |
66. | I goditi armiqtë e tij në kurriz dhe i mbuloi me një turp të përjetshëm. |
67. | Hodhi poshtë çadrën e Jozefit dhe nuk zgjodhi fisin e Efraimit, |
68. | por zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit, që ai e do. |
69. | Ndërtoi shenjtëroren e tij, ashtu si vëndet shumë të larta, ashtu si tokat që ka krijuar përjetë. |
70. | Dhe zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, dhe e mori nga vatha e dhenve, |
71. | dhe e mori nga delet që mëndnin për të kullotur Jakobin, popullin e tij dhe Izraelin, trashëgiminë e tij. |
72. | Dhe ai bëri që të kullosnin me ndershmërinë e zemrës së tyre dhe i udhëhoqi me shkathtësinë e duarve të tij. |
← Psalms (78/150) → |