← Psalms (77/150) → |
1. | Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar. |
2. | Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet. |
3. | Më kujtohet Perëndia dhe rrënkoj; vajtoj dhe fryma ime dobësohet. (Sela) |
4. | Ti m'i mban të hapura qepallat; jam aq i turbulluar sa nuk mund të flas. |
5. | Sjell ndërmënd përsëri ditët e lashta, vitet e kohëve të shkuara. |
6. | Gjatë natës më kthehet në mendje kënga ime, mendoj thellë në zemrën time dhe fryma ime bën kërkime. |
7. | A do të më hedhë poshtë për gjithnjë Zoti? E nuk do të më pëlqejë më kurrë? |
8. | Dhe mirësia e tij ka marrë fund për gjithnjë dhe falja e tij ka munguar për brezat e ardhshme? |
9. | Vallë Perëndia e ka harruar mëshirën dhe në zemërimin e tij u ka dhënë fund dhembshurive të tij? (Sela) |
10. | Unë kam thënë: "Shkaku i hidhërimit tim është se dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar". |
11. | Do t'i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara, |
12. | do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua. |
13. | O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia? |
14. | Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve. |
15. | Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela) |
16. | Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trëmbën; edhe humnerat u drithtuan. |
17. | Retë derdhën përmbytje uji, qiejtë gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan. |
18. | Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh. |
19. | Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën. |
20. | Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit. |
← Psalms (77/150) → |