← Psalms (73/150) → |
1. | Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra. |
2. | Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin. |
3. | Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij. |
4. | Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë. |
5. | Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë. |
6. | Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe. |
7. | Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë. |
8. | Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë. |
9. | E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën. |
10. | Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre, |
11. | dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?". |
12. | Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre. |
13. | Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time. |
14. | Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes. |
15. | Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu", ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu. |
16. | Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m'u duk shumë e vështirë. |
17. | Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre. |
18. | Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim. |
19. | Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri! |
20. | Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë. |
21. | Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda, |
22. | unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë. |
23. | Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë. |
24. | Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi. |
25. | Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje. |
26. | Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi. |
27. | Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje. |
28. | Por sa për mua, e mira është t'i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua. |
← Psalms (73/150) → |