← Psalms (72/150) → |
1. | O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit, |
2. | dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi. |
3. | Malet do t'i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë. |
4. | Ai do t'u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin. |
5. | Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat. |
6. | Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën. |
7. | Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë. |
8. | Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës. |
9. | Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin. |
10. | Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t'i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t'i ofrojnë dhurata. |
11. | Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t'i shërbejnë. |
12. | Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. |
13. | Atij do t'i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. |
14. | Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij. |
15. | Dhe ai do të jetojë; dhe do t'i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën. |
16. | Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës. |
17. | Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur. |
18. | I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli. |
19. | Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen. |
20. | Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait. |
← Psalms (72/150) → |