| ← Psalms (71/150) → |
| 1. | Unë po gjej strehë te ti, o Zot, bëj që të mos hutohem kurrë. |
| 2. | Në emër të drejtësisë sate, më çliro dhe më shpëto; zgjate veshin tënd ndaj meje dhe më shpëto. |
| 3. | Ti je për mua një kështjellë shpëtimi, ku unë mund të shkoj gjithnjë; ti ke urdhëruar shpëtimin tim, sepse je shkëmbi dhe kështjella ime. |
| 4. | Perëndia im, më çliro nga dora e të pabesit, nga dora e të çoroditurit dhe të atij që përdor dhunën. |
| 5. | Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot, besimi im që kurse isha fëmijë. |
| 6. | Ti ke qenë përkrahja ime qysh në bark të nënes sime; ti më nxore nga barku i nënës sime; ty do të drejtohet gjithnjë lëvdimi im. |
| 7. | Jam bërë për shumë njerëz si një mrekulli, por ti je streha e fortë. |
| 8. | Goja ime është plot me lëvdimet e tua dhe shpall lavdinë tënde tërë ditën. |
| 9. | Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet. |
| 10. | Sepse armiqtë e mi flasin kundër meje, dhe ata që kanë ngritur pusi kundër jetës sime thurrin komplote bashkë, |
| 11. | duke thënë: "Perëndia e ka braktisur; ndiqeni dhe kapeni, sepse nuk ka njeri që ta çlirojë". |
| 12. | O Perëndi, mos u largo nga unë; Perëndia im, nxito të më ndihmosh. |
| 13. | U ngatërrofshin dhe u asgjesofshin kundërshtarët e jetës sime; u mbulofshin me poshtërsi dhe me turp ata që dëshërojnë të më bëjnë të keqen. |
| 14. | Por unë do të kem shpresa gjithnjë dhe do të të lëvdoj gjithnjë e më tepër. |
| 15. | Goja ime do të tregojë tërë ditën drejtësinë tënde dhe çlirimet e tua, sepse nuk njoh numrin e tyre. |
| 16. | Do të thellohem në veprat e fuqishme të Zotit, të Zotit, dhe do të kujtoj drejtësinë tënde, vetëm tënden. |
| 17. | O Perëndi, ti më ke mësuar që në fëmijëri; dhe deri më sot unë kam shpallur mrekullitë e tua. |
| 18. | Edhe tani që jam plakur dhe jam thinjur, o Perëndi, mos më braktis deri sa t'i kem treguar këtij brezi fuqinë tënde dhe mrekullitë e tua gjithë atyre që do të vijnë. |
| 19. | Edhe drejtësia jote, o Perëndi, arrin deri në lartësitë e qiejve; ti ke bërë gjëra të mëdha. O Perëndi, kush të përngjan ty? |
| 20. | Ti, që më bëre të provoj shumë fatkeqësira, të rënda, do të më japësh përsëri jetën dhe do të më bësh të ngrihem lart nga humnerat e tokës. |
| 21. | Ti do të rritesh madhështinë time dhe do të kthehesh të më ngushëllosh. |
| 22. | Dhe unë do të lëvdoj me harpe për besnikërinë tënde, o Perëndia im, dhe do të këndoj lavdet e tua me qeste, o i Shenjti i Izraelit. |
| 23. | Buzët e mia do të ngazëllojnë kur do të këndoj lavdet e tua bashkë me shpirtin tim, që ti ke shpenguar. |
| 24. | Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde, sepse janë turpëruar dhe janë hutuar ata që kërkonin të më bënin të keqen. |
| ← Psalms (71/150) → |