← Psalms (69/150) → |
1. | Shpëtomë, o Perëndi, se ujërat më kanë arritur deri në grykë. |
2. | Jam zhytur në një batak të thellë dhe nuk gjej asnjë pikë mbështetjeje; kam arritur në ujëra të thella dhe rryma më rrëmben me vete. |
3. | Jam lodhur duke bërtitur, gryka më është tharë; sytë e mi konsumohen në pritje të Perëndisë tim. |
4. | Ata që më urrejnë pa shkak janë më të shumtë se flokët e mi; janë të fuqishëm ata që duan të më shkatërrojnë dhe që janë pa të drejtë armiq të mi; jam i detyruar të kthej atë që nuk kam vjedhur. |
5. | O Perëndi, ti e di marrëzinë time dhe fajet e mia nuk të janë fshehur. |
6. | Mos u ngatërrofshin për shkakun tim ata që kanë shpresë te ti, o Zot, Zoti i ushtrive; mos u turpërofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë, o Perëndi i Izraelit. |
7. | Për hir të dashurisë sate unë po heq një poshtërim dhe turpi më mbulon fytyrën. |
8. | Unë jam i bërë një i huaj për vëllezërit e mi dhe për bijtë e nënes sime. |
9. | Sepse zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe fyerjet e rënda të atij që të fyen kanë rënë mbi mua. |
10. | Kam qarë duke pikëlluar shpirtin tim me agjërim, por kjo më ka sjellë çnderim. |
11. | Kam veshur madje si rroba një thes, por u bëra për ta objekt talljeje. |
12. | Ata që ulen te porta flasin për mua, dhe u bëra kënga e pijanecëve. |
13. | Por sa për mua, o Zot, lutja ime të drejtohet ty, o Zot, në kohë të pranueshme; në dhembshurinë tënde të madhe përgjigjmu, o Perëndi, në shpëtimin tënd të siguruar. |
14. | Më nxirr nga bataku që të mos fundosem në të, dhe bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga ujërat e thella. |
15. | Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua. |
16. | Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë. |
17. | Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh. |
18. | Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi. |
19. | Ti e njeh poshtërsinë time, turpin tim dhe çnderimin tim; armiqtë e mi janë të gjithë para teje. |
20. | Fyerja e rëndë më ka copëtuar zemrën dhe jam plot hidhërime; prita dikë që të më përdëllentë por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë. |
21. | Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull. |
22. | U bëftë tryeza e tyre një lak para tyre, dhe begatia e tyre një kurth. |
23. | Ju errshin sytë atyre kështu që të mos shohin më, dhe bëj që ijët e tyre të lëkunden vazhdimisht. |
24. | Zbraz mbi ta zemërimin tënd dhe i zëntë zjarri i indinjatës sate. |
25. | Banesa e tyre u shkretoftë dhe askush mos banoftë në çadrat e tyre, |
26. | sepse përndjekin atë që ti ke goditur dhe flasin me kënaqësi për dhembjen e atyre që ti ke plagosur. |
27. | Shto këtë faj fajit të tyre dhe mos arrifshin kurrë të kenë pjesë në drejtësinë tënde. |
28. | U shofshin nga libri i jetës dhe mos u shkrofshin midis të drejtëve. |
29. | Tani jam i hidhëruar dhe i dëshpëruar; shpëtimi yt, o Perëndi, më lartoftë. |
30. | Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë, dhe do ta madhështoj me lavde. |
31. | Dhe kjo do t'i pëlqejë Zotit më tepër se një ka o një dem me brirë dhe thonj. |
32. | Njerëzit e përulur do të shohin dhe do të gëzohen; dhe për ju që kërkoni Perëndinë, u përtëriftë zemra juaj. |
33. | Sepse Zoti kënaq nevojtarët dhe nuk përçmon robërit e tij. |
34. | E mburrshin qiejtë dhe toka, detet dhe gjithçka lëviz në to. |
35. | Sepse Perëndia do të shpëtojë Sionin dhe do të rindërtojë qytetet e Judës; atëherë ata do të banojnë në to dhe do t'i zotërojnë. |
36. | Dhe pasardhësit e shërbëtorëve të tij do të kenë trashëgiminë dhe ata që e duan emrin e tij do të banojnë aty. |
← Psalms (69/150) → |