← Psalms (66/150) → |
1. | Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës; |
2. | i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij. |
3. | I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty. |
4. | Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela) |
5. | Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve. |
6. | Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të. |
7. | Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela) |
8. | Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij. |
9. | Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen. |
10. | Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi. |
11. | Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona. |
12. | Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët. |
13. | Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia, |
14. | që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi. |
15. | Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela) |
16. | Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t'ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim. |
17. | I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time. |
18. | Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar. |
19. | Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime. |
20. | Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij. |
← Psalms (66/150) → |