← Psalms (55/150) → |
1. | O Perëndi, vëri veshin lutjes sime dhe ki parasysh kërkesën time. |
2. | Dëgjo kërkesën time dhe përgjigjmu; ankohem vazhdimisht dhe rënkoj, |
3. | për zërin e armikut, për shtypjen e të pabesit; sepse më bien mbi kurriz disa fatkeqësi dhe në zemërimin e tyre më ndjekin këmba këmbës. |
4. | Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua. |
5. | Frika dhe të drithma më kanë sulmuar dhe tmerri më ka mposhtur. |
6. | Prandaj kam thënë: "Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje. |
7. | Ja, do të ikja larg dhe do të qëndroja në shkretëtirë. (Sela) |
8. | Do të shpejtoja për të gjetur një strehë nga era e furishme dhe nga furtuna". |
9. | Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet. |
10. | Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja. |
11. | Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij. |
12. | Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t'i isha fshehur atij. |
13. | Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë. |
14. | Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë. |
15. | I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi. |
16. | Sa për mua, do t'i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë. |
17. | Në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do të dëgjojë zërin tim. |
18. | Ai do ta shpengojë jetën time dhe do ta sigurojë nga lufta që bëhet kundër meje, sepse janë të shumtë ata që janë ngritur kundër meje. |
19. | Perëndia do të më dëgjojë dhe ka për t'i poshtëruar, ai që ulet si sovran gjithnjë, sepse ata nuk ndryshojnë dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. (Sela) |
20. | Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij. |
21. | Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura. |
22. | Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet. |
23. | Por ti, o Perëndi, do t'i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti. |
← Psalms (55/150) → |