← Psalms (45/150) → |
1. | Më burojnë nga zemra fjalë shumë të ëmbla; unë i këndoj mbretit poemën time. Gjuha ime do të jetë si pena e një shkruesi të shpejtë. |
2. | Ti je shumë i bukur ndër të gjithë bijtë e njerëzve; buzët e tua janë plot nur, prandaj Perëndia të ka bekuar në përjetësi. |
3. | Ngjeshe shpatën në brezin tënd, o trim, i rrethuar nga shkëlqimi yt dhe nga madhështia jote, |
4. | dhe në madhështinë tënde shko përpara mbi qerren fitimtare për çështjen e së vërtetës, të shpirtmadhësisë dhe të drejtësisë, dhe dora jote e djathtë do të të tregojë vepra të tmerrshme. |
5. | Shigjetat e tua janë të mprehta; popujt do të bien poshtë teje; ato do të hyjnë në zemërën e armiqve të mbretit. |
6. | Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi; skeptri i mbretërisë sate është një skeptër drejtësie. |
7. | Ti e do drejtësinë dhe urren mbrapshtinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu. |
8. | Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloe dhe kasie; nga pallatet e fildishta veglat muzikore me tela të gëzojnë. |
9. | Midis zonjave të nderit që të rrethojnë ka bija mbretërish; në të djathtën tënde është mbretëresha, e zbukuruar me ar Ofiri. |
10. | Dëgjo, vashë, shiko dhe vër veshin; harro populin tënd dhe shtëpinë e atit tënd, |
11. | dhe mbreti do të dëshirojë me të madhe bukurinë tënde; bjer përmbys para tij, sepse ai është Zoti yt. |
12. | Bija e Tiros do të të sjellë disa dhurata dhe të pasurit e popullit do të kërkojnë favoret e tua. |
13. | Tërë shkëlqim është brenda e bija e mbretit; rrobat e saj janë të qëndisura me ar. |
14. | Atë do ta çojnë te mbreti me rroba të qëndisura, të shoqëruar nga virgjëresha shoqe të saj, që do të të paraqiten ty. |
15. | Ato do t'i çojnë me gëzim dhe hare dhe do të hyjnë në pallatin e mbretit. |
16. | Bijtë e tu do të zënë vendin e etërve të tu; ti do t'i bësh princa për tërë tokën. |
17. | Unë do të shpall kujtimin e emrit tënd për të gjitha brezat; prandaj popujt do të të kremtojnë në përjetësim, përjetë. |
← Psalms (45/150) → |