| ← Psalms (37/150) → | 
| 1. | Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi, | 
| 2. | sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë. | 
| 3. | Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë. | 
| 4. | Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate. | 
| 5. | Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar. | 
| 6. | Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita. | 
| 7. | Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij. | 
| 8. | Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen. | 
| 9. | Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës. | 
| 10. | Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më. | 
| 11. | Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe. | 
| 12. | I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij. | 
| 13. | Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij. | 
| 14. | Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre. | 
| 15. | Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen. | 
| 16. | Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve. | 
| 17. | Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët. | 
| 18. | Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë. | 
| 19. | Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen. | 
| 20. | Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave. | 
| 21. | I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron. | 
| 22. | Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen. | 
| 23. | Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij. | 
| 24. | Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore. | 
| 25. | Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë. | 
| 26. | Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim. | 
| 27. | Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme. | 
| 28. | Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t'i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen. | 
| 29. | Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të. | 
| 30. | Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi. | 
| 31. | Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden. | 
| 32. | I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë. | 
| 33. | Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet. | 
| 34. | Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh. | 
| 35. | E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes, | 
| 36. | por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më. | 
| 37. | Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja. | 
| 38. | Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen. | 
| 39. | Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë. | 
| 40. | Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai. | 
| ← Psalms (37/150) → |