| ← Psalms (34/150) → | 
| 1. | Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time. | 
| 2. | Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen. | 
| 3. | Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij. | 
| 4. | Unë e kërkova Zotin, dhe ai m'u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia. | 
| 5. | Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan. | 
| 6. | Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij. | 
| 7. | Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron. | 
| 8. | Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai. | 
| 9. | Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij. | 
| 10. | Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë. | 
| 11. | Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t'ju mësoj frikën e Zotit. | 
| 12. | Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën? | 
| 13. | Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra. | 
| 14. | Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje. | 
| 15. | Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre. | 
| 16. | Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut. | 
| 17. | Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre. | 
| 18. | Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar. | 
| 19. | Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha. | 
| 20. | Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet. | 
| 21. | Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen. | 
| 22. | Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet. | 
| ← Psalms (34/150) → |