| ← Psalms (33/150) → | 
| 1. | Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë. | 
| 2. | Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela. | 
| 3. | Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni. | 
| 4. | Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi. | 
| 5. | Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit. | 
| 6. | Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij. | 
| 7. | Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare. | 
| 8. | Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës. | 
| 9. | Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq. | 
| 10. | Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjeson synimet e popujve. | 
| 11. | Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez. | 
| 12. | Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij. | 
| 13. | Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve. | 
| 14. | Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës. | 
| 15. | Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre. | 
| 16. | Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe. | 
| 17. | Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku. | 
| 18. | Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij, | 
| 19. | për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t'i mbajtur të gjallë në kohë urie. | 
| 20. | Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë. | 
| 21. | Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë. | 
| 22. | Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti. | 
| ← Psalms (33/150) → |