← Psalms (28/150) → |
1. | Ty të këlthas, o Zot, o kështjella ime; mos rri në heshtje, sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë. |
2. | Dëgjo zërin e lutjeve të mia kur të këlthas ty për ndihmë, kur ngre duart në drejtim të vendit tënd shumë të shenjtë. |
3. | Mos më tërhiq bashkë me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por kanë shpirtligësi në zemër. |
4. | Jepu atyre sipas veprave që kanë kryer dhe sipas ligësisë së veprimeve të tyre; jepu atyre sipas veprës së duarve të tyre; jepu atyre hakun që meritojnë. |
5. | Duke qenë se ata nuk i çmojnë veprat e Zotit dhe atë që duart e tij kanë bërë, ai do t'i mposhtë dhe nuk do t'i lërë të begatohen. |
6. | I bekuar qoftë Zoti, sepse ka dëgjuar zërin e lutjeve të mia. |
7. | Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time. |
8. | Zoti është forca e popullit të tij, dhe streha e shpëtimit për të vajosurin e tij. |
9. | Shpëto popullin tënd dhe beko trashëgiminë tënde; ushqeji dhe përkrahi përjetë. |
← Psalms (28/150) → |