← Psalms (25/150) → |
1. | Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim. |
2. | O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua. |
3. | Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak. |
4. | O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua. |
5. | Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës. |
6. | Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme. |
7. | Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate. |
8. | Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t'u mësojë rrugën mëkatarëve. |
9. | Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t'u mësojë të përulurve rrugën e tij. |
10. | Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij. |
11. | Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe. |
12. | Kush është njeriu që ka frikë nga Zoti? Ai do t'i tregojë rrugën që duhet të zgjedhë. |
13. | Ai do të jetojë në bollëk dhe pasardhësit e tij do të trashëgojnë tokën. |
14. | Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij, dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij. |
15. | Sytë e mi drejtohen vazhdimisht te Zoti, sepse ai do të m'i nxjerrë këmbët nga rrjeta. |
16. | Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, sepse jam vetëm dhe i dëshpëruar. |
17. | Ankthet e zemrës sime janë shtuar; më çliro nga fatkeqësitë e mia. |
18. | Shiko pikëllimin tim dhe ankthin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia. |
19. | Këqyr armiqtë e mi, sepse janë të shumtë dhe më urrejnë me një urrejtje plot dhunë. |
20. | Ruaje jetën time dhe më çliro; bëj që të mos jem i pështjelluar, sepse unë po gjej strehë te ti. |
21. | Pastërtia dhe ndershmëria më mbrofshin, sepse unë shpresoj te ti. |
22. | O Perëndi, liroje Izraelin nga të gjitha mundimet e tij. |
← Psalms (25/150) → |