| ← Psalms (145/150) → |
| 1. | Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë. |
| 2. | Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë. |
| 3. | Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme. |
| 4. | Një brez do t'i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t'i njoftojë mrekullitë e tua. |
| 5. | Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme. |
| 6. | Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde. |
| 7. | Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde. |
| 8. | Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. |
| 9. | Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij. |
| 10. | Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë. |
| 11. | Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde, |
| 12. | për t'u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate. |
| 13. | Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi. |
| 14. | Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar. |
| 15. | Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur. |
| 16. | Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë. |
| 17. | Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij. |
| 18. | Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë. |
| 19. | Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton. |
| 20. | Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët. |
| 21. | Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë. |
| ← Psalms (145/150) → |