← Psalms (139/150) → |
1. | Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh. |
2. | Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim. |
3. | Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia. |
4. | Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht. |
5. | Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua. |
6. | Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij. |
7. | Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate? |
8. | Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty. |
9. | Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit, |
10. | edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë. |
11. | Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë", madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje: |
12. | terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty. |
13. | Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime. |
14. | Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë. |
15. | Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës. |
16. | Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende. |
17. | Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre! |
18. | Po të doja t'i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty. |
19. | Me siguri, ti do vrasësh të pabesin, o Perëndi; prandaj ju, njerëz gjakatarë largohuni nga unë. |
20. | Ata flasin me pabesi kundër teje; armiqtë e tu përdorin më kot emrin tënd. |
21. | A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot, dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje? |
22. | Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi. |
23. | Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia. |
24. | dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme. |
← Psalms (139/150) → |