← Psalms (135/150) → |
1. | Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit, |
2. | që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë. |
3. | Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur. |
4. | Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë. |
5. | Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë. |
6. | Zoti bën ç'të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat. |
7. | Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij. |
8. | Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve, |
9. | dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij. |
10. | Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm: |
11. | Sionin, mbretin e Amorejve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit. |
12. | Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij. |
13. | O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi. |
14. | Sepse Zoti do t'i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij. |
15. | Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut; |
16. | kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin, |
17. | kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre. |
18. | Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata. |
19. | Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin. |
20. | Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin. |
21. | Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja. |
← Psalms (135/150) → |