| ← Psalms (119/150) → | 
| 1. | Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit. | 
| 2. | Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër | 
| 3. | dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij. | 
| 4. | Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes. | 
| 5. | Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua. | 
| 6. | Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua. | 
| 7. | Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta. | 
| 8. | Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht. | 
| 9. | Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde. | 
| 10. | Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua. | 
| 11. | E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje. | 
| 12. | Ti je i bekuar, o Zot, më mëso statutet e tua. | 
| 13. | Me buzët e mia kam numëruar të gjitha dekretet e gojës sate. | 
| 14. | Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë. | 
| 15. | Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marrë në konsideratë shtigjet e tua. | 
| 16. | Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde. | 
| 17. | Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde. | 
| 18. | Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd. | 
| 19. | Unë jam i huaji mbi dhe; mos m'i fshih urdhërimet e tua. | 
| 20. | Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë. | 
| 21. | Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua. | 
| 22. | Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua. | 
| 23. | Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua. | 
| 24. | Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi. | 
| 25. | Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate. | 
| 26. | Të kam treguar rrugët e mia, dhe ti më je përgjigjur; më mëso statutet e tua. | 
| 27. | Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua. | 
| 28. | Jeta ime tretet në dhimbje; më jep forcë sipas fjalës sate. | 
| 29. | Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd. | 
| 30. | Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes. | 
| 31. | Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem. | 
| 32. | Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën. | 
| 33. | Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund. | 
| 34. | Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër. | 
| 35. | Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time. | 
| 36. | Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë. | 
| 37. | Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua. | 
| 38. | Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty. | 
| 39. | Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira. | 
| 40. | Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde. | 
| 41. | Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate. | 
| 42. | Kështu do të mund t'i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote. | 
| 43. | Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua. | 
| 44. | Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë. | 
| 45. | Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua. | 
| 46. | Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem. | 
| 47. | Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua. | 
| 48. | Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua. | 
| 49. | Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa. | 
| 50. | Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë. | 
| 51. | Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt. | 
| 52. | Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon. | 
| 53. | Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd. | 
| 54. | Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim. | 
| 55. | O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd. | 
| 56. | Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua. | 
| 57. | Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua. | 
| 58. | Të jam lutur shumë, me gjihë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate. | 
| 59. | Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhërave të tua. | 
| 60. | Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua. | 
| 61. | Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd. | 
| 62. | Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta. | 
| 63. | Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua. | 
| 64. | O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua. | 
| 65. | Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate. | 
| 66. | Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua. | 
| 67. | Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde. | 
| 68. | Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua. | 
| 69. | Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër. | 
| 70. | Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd. | 
| 71. | Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua. | 
| 72. | Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi. | 
| 73. | Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua. | 
| 74. | Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde. | 
| 75. | Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde. | 
| 76. | Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd. | 
| 77. | Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime. | 
| 78. | U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua. | 
| 79. | Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua. | 
| 80. | Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem. | 
| 81. | Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde. | 
| 82. | Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?". | 
| 83. | Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua. | 
| 84. | Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t'u vish hakut atyre që më ndjekin? | 
| 85. | Mëndjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd. | 
| 86. | Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë. | 
| 87. | Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua. | 
| 88. | Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate. | 
| 89. | Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë. | 
| 90. | Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston. | 
| 91. | Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd. | 
| 92. | Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim. | 
| 93. | Nuk do t'i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën. | 
| 94. | Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua. | 
| 95. | Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua. | 
| 96. | Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak. | 
| 97. | Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën. | 
| 98. | Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua. | 
| 99. | Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime. | 
| 100. | Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua. | 
| 101. | Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde. | 
| 102. | Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar. | 
| 103. | Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time. | 
| 104. | Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti. | 
| 105. | Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim. | 
| 106. | Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin që të respektoj dekretet e tua të drejta. | 
| 107. | Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate. | 
| 108. | O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua. | 
| 109. | Ndonëse e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës, nuk e harroj ligjin tënd. | 
| 110. | Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga udhërimet e tua. | 
| 111. | Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime. | 
| 112. | Jam zotuar me gjithë zemër për t'i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund. | 
| 113. | Unë i urrej njerëzit që gënjejnë, por e dua ligjin tënd. | 
| 114. | Ti je streha ime dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde. | 
| 115. | Largohuni, o njerëz të këqij, sepse unë dua të respektoj urdhërimet e Perëndisë tim. | 
| 116. | Më ndihmo sipas fjalës sate, që unë të jetoj, dhe të mos lejoj të ketë hutim në shpresën time. | 
| 117. | Përforcomë dhe unë do të shpëtoj, dhe do t'i kem gjithnjë statutet e tua përpara syve të mi. | 
| 118. | Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga statutet e tua, sepse mashtrimi i tyre është gënjeshtër. | 
| 119. | Ti zhduk si fundërrina tërë të pabesët e tokës; prandaj unë i dua porositë e tua. | 
| 120. | Mishi im dridhet i tëri nga frika jote, dhe unë kam frikë nga dekretet e tua. | 
| 121. | Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi. | 
| 122. | Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mëndjemëdhenjtë të më shtypin. | 
| 123. | Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate. | 
| 124. | Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua. | 
| 125. | Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua. | 
| 126. | Éshtë koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd. | 
| 127. | Për këtë arësye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar. | 
| 128. | Për këtë arësye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës. | 
| 129. | Porositë e tua janë të mrekullueshme, prandaj shpirti im i respekton. | 
| 130. | Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë. | 
| 131. | Unë hap gojën time dhe psherëtij, nga dëshira e madhe e porosive të tua. | 
| 132. | Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd. | 
| 133. | Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë. | 
| 134. | Më çliro nga shtypja e njerëzve dhe unë do të respektoj urdhërimet e tua. | 
| 135. | Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd dhe më mëso statutet e tua. | 
| 136. | Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt. | 
| 137. | Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta. | 
| 138. | Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe. | 
| 139. | Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua. | 
| 140. | Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do. | 
| 141. | Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua. | 
| 142. | Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë. | 
| 143. | Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im. | 
| 144. | Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj. | 
| 145. | Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua. | 
| 146. | Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua. | 
| 147. | Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote. | 
| 148. | Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde. | 
| 149. | Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë. | 
| 150. | Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd. | 
| 151. | Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta. | 
| 152. | Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë. | 
| 153. | Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd. | 
| 154. | Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate. | 
| 155. | Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua. | 
| 156. | Dhemshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta. | 
| 157. | Persekutuesit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua. | 
| 158. | I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde. | 
| 159. | Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate. | 
| 160. | Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë. | 
| 161. | Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote. | 
| 162. | Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe. | 
| 163. | Urrej dhe s'e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd. | 
| 164. | Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta. | 
| 165. | Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t'i rrëzojë. | 
| 166. | O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua. | 
| 167. | Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe. | 
| 168. | Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje. | 
| 169. | Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate. | 
| 170. | Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate. | 
| 171. | Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua. | 
| 172. | Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta. | 
| 173. | Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua. | 
| 174. | Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im. | 
| 175. | Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua. | 
| 176. | Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua. | 
| ← Psalms (119/150) → |