| ← Psalms (118/150) → |
| 1. | Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. |
| 2. | Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë". |
| 3. | Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë". |
| 4. | Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë". |
| 5. | Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m'u përgjigj dhe më çoi larg. |
| 6. | Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu? |
| 7. | Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t'i shikoj triumfues armiqtë e mi. |
| 8. | Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t'i kesh besim njeriut. |
| 9. | Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t'u kesh besim princave. |
| 10. | Tërë kombet më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t'i zhduk ato. |
| 11. | Më kishin rrethuar, po, më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t'i shkatërroj. |
| 12. | Më kishin rrethuar si bleta, por u shuan si zjarr ferrishtash; në emër të Zotit unë do t'i shkatërroj. |
| 13. | Ti më kishe shtyrë me dhunë për të më rrëzuar, por Zoti më ndihmoi. |
| 14. | Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im. |
| 15. | Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi. |
| 16. | E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi. |
| 17. | Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit. |
| 18. | Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes. |
| 19. | Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin. |
| 20. | Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të. |
| 21. | Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im. |
| 22. | Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes. |
| 23. | Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona. |
| 24. | Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të. |
| 25. | O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi. |
| 26. | I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit. |
| 27. | Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit. |
| 28. | Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj. |
| 29. | Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. |
| ← Psalms (118/150) → |