← Psalms (116/150) → |
1. | Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia. |
2. | Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime. |
3. | Vargonjtë e vdekjes më kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit më kishin pushtuar; fatkeqësia dhe dhembja më kishin vënë përfund. |
4. | Atëherë i kërkova ndihmë Zotit: "O Zot, të lutem, më shpëto". |
5. | Zoti është i dhemshur dhe i drejtë, Perëndia ynë është i mëshirshëm. |
6. | Zoti mbron njerëzit e thjeshtë; unë isha katandisur në një gjendje të mjeruar, dhe ai më shpëtoi. |
7. | Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, sepse Zoti të mbushi me të mira. |
8. | Po, sepse ti ke çliruar jetën time nga vdekja, sytë e mi dhe lotët dhe këmbët e mia nga rrëzimi. |
9. | Unë do të eci në prani të Zotit në tokën e të gjallëve. |
10. | Unë kam besuar dhe prandaj flas. Unë isha shumë i pikëlluar, |
11. | dhe thoja gjatë përhumbjes sime: "Çdo njeri është gënjeshtar". |
12. | Ç'do t'i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë? |
13. | Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit. |
14. | Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij. |
15. | Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij. |
16. | Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia. |
17. | Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit. |
18. | Do t'i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij, |
19. | në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jeruzalem. Aleluja. |
← Psalms (116/150) → |