| ← Psalms (111/150) → | 
| 1. | Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend. | 
| 2. | Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to. | 
| 3. | Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë. | 
| 4. | Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë. | 
| 5. | Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e tij. | 
| 6. | Ai i tregoi popullit të tij fuqinë e veprave të tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve. | 
| 7. | Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme, | 
| 8. | të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi. | 
| 9. | Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij. | 
| 10. | Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi. | 
| ← Psalms (111/150) → |