← Psalms (109/150) → |
1. | O Perëndi i lëvdimit tim, mos hesht, |
2. | sepse njerëz të pabesë dhe të pandershëm kanë hapur gojën e tyre kundër meje dhe kanë folur kundër meje me një gjuhë gënjeshtare; |
3. | më kanë sulmuar me fjalë urrejtjeje dhe më kanë luftuar pa shkak. |
4. | Në këmbim të dashurisë sime më akuzojnë, por unë i drejtohem lutjes. |
5. | Ata më kanë larë të mirën me të keqen dhe dashurinë time me urrejtje. |
6. | Vendos një njeri të keq mbi të dhe një akuzues le të jetë në të djathtë të tij. |
7. | Kur të gjykohet, bëj që të gjendet fajtor dhe lutja e tij të bëhet mëkat. |
8. | Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër zëntë vendin e tij. |
9. | Bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij e ve. |
10. | U bëfshin endacakë dhe lypsarë bijtë e tij dhe e kërkofshin ushqimin larg shtëpive të tyre të rrënuara. |
11. | Fajdexhiu i marrtë të gjitha pasuritë e tij dhe të huajtë i vjedhshin frytin e mundit të tij. |
12. | Askush mos pastë mëshirë për të dhe askujt mos i ardhtë keq për jetimët e tij. |
13. | U shkatërrofshin pasardhësit e tij; në brezin e dytë emri i tyre u shoftë. |
14. | U kujtoftë para Zotit paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u shoftë. |
15. | U dalshin gjithnjë mëkatet e tyre para Zotit, me qëllim që ai të zhdukë nga toka kujtimin e tyre. |
16. | Sepse atij nuk i shkoi ndër mend të kishte dhemshuri, por e ka përndjekur të varfërin, nevojtarin dhe atë që ishte zemërthyer deri sa t'u shkaktonte vdekjen. |
17. | Mbasi e ka dashur mallkimin, rëntë ai mbi të; dhe mbasi nuk është kënaqur me bekimin, ky u largoftë prej tij. |
18. | Mbasi u mbulua me mallkim si me një rrobe, i hyftë ai si ujë në trupin e tij dhe si vaj në kockat e tij; |
19. | Qoftë për të si një rrobe që e mbulon dhe si një brez që e lidh përjetë. |
20. | Qoftë ky nga ana e Zotit shpërblimi për kundërshtarët e mi dhe për ata që flasin keq kundër meje. |
21. | Por ti, o Zot, o Zot, vepro në favorin tim për hir të emrit tënd, çliromë me dhemshurinë dhe mirësinë tënde, |
22. | sepse unë jam i varfër dhe nevojtar, dhe zemra ime është plagosur brenda meje. |
23. | Unë iki si një hije që zgjatet, jam i tronditur si një karkalec. |
24. | Gjunjët e mi dridhen nga të pangrënët dhe trupi im është dobësuar për mungesë të dhjamit. |
25. | Jam bërë një faqezi për ta; kur më shohin, tundin kokën. |
26. | Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhemshurinë tënde, |
27. | dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë. |
28. | Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet. |
29. | U mbulofshin me turp kundërshtarët e mi dhe u mbështjellshin me turp si me mantel, |
30. | Unë do të kremtoj me të madhe Zotin me gojën time dhe do ta lëvdoj në mes të një turme të madhe, |
31. | sepse ai rri në të djathtë të të varfërit për ta shpëtuar nga ata që e dënojnë me vdekje. |
← Psalms (109/150) → |