← Psalms (108/150) → |
1. | Zemra ime është e prirur për mirë, o Perëndi, unë do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e tua me gjithë forcën time. |
2. | Zgjohuni, o harpa dhe qeste, unë dua të zgjoj agimin. |
3. | Unë do të të kremtoj midis popujve, o Zot, dhe do të këndoj lëvdimet e tua midis kombeve. |
4. | Sepse mirësia jote është e madhe, arrin deri mbi qiejtë, dhe e vërteta jote deri te retë. |
5. | Qofsh i përlëvduar, o Perëndi, përmbi qiejtë dhe lavdia jote shkëlqeftë mbi gjithë tokën, |
6. | me qëllim që të dashurit e tu të çlirohen; shpëtomë me të djathtën tënde dhe përgjigjmu. |
7. | Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do ta ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit. |
8. | Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjvënësi im; |
9. | Moabi është legeni ku unë lahem; mbi Edomin do të hedh sandalen time, mbi Filisti do të dërgoj britma triumfi". |
10. | Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom? |
11. | A nuk je ti, o Perëndi, që na ke kthyer, dhe nuk del më, o Perëndi, me ushtritë tona? |
12. | Na ndihmo ti kundër kundërshtarëve, sepse ndihma e njeriut është e kotë. |
13. | Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe do të jetë ai që do t'i shtypë armiqtë tanë. |
← Psalms (108/150) → |