← Psalms (105/150) → |
1. | Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve. |
2. | Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij. |
3. | Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin. |
4. | Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij. |
5. | Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij, |
6. | ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij. |
7. | Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën. |
8. | Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij, |
9. | besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut, |
10. | që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme, |
11. | duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj", |
12. | kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend, |
13. | dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër. |
14. | Ai nuk lejoi që t'i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre, |
15. | dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi". |
16. | Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh. |
17. | Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav. |
18. | I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri. |
19. | Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë. |
20. | Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin, |
21. | dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij, |
22. | për t'i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t'u mësuar pleqve të tij diturinë. |
23. | Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit. |
24. | Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij. |
25. | Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij. |
26. | Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur. |
27. | Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit. |
28. | Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij. |
29. | I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij. |
30. | Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre. |
31. | Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre. |
32. | U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre; |
33. | goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre. |
34. | Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh, |
35. | që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre. |
36. | Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre; |
37. | dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej. |
38. | Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta. |
39. | Ai shpalosi një re për t'i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t'i ndriçuar natën. |
40. | Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit. |
41. | Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë. |
42. | Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij; |
43. | pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi, |
44. | dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve, |
45. | me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t'u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja. |
← Psalms (105/150) → |