| ← Psalms (104/150) → |
| 1. | Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi. |
| 2. | Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër; |
| 3. | ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës. |
| 4. | I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij. |
| 5. | Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë. |
| 6. | Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet. |
| 7. | Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim. |
| 8. | Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to. |
| 9. | Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërxenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën. |
| 10. | Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve, |
| 11. | dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre. |
| 12. | Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre. |
| 13. | Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua. |
| 14. | Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij, |
| 15. | dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut. |
| 16. | Kështu ngopen drurët e Zotit dhe kedrat e Libanit që ai ka mbjellë; |
| 17. | aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij. |
| 18. | Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve. |
| 19. | Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij. |
| 20. | Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit. |
| 21. | Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre. |
| 22. | Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre. |
| 23. | Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje. |
| 24. | Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua. |
| 25. | Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta; |
| 26. | e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t'u tallur në të. |
| 27. | Të gjithë presin që ti t'u japësh ushqimin në kohën e duhur. |
| 28. | Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira. |
| 29. | Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre. |
| 30. | Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut. |
| 31. | Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij; |
| 32. | ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym. |
| 33. | Unë do t'i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t'i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem. |
| 34. | Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti. |
| 35. | Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja. |
| ← Psalms (104/150) → |