| ← Psalms (103/150) → |
| 1. | Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë. |
| 2. | Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë. |
| 3. | Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua, |
| 4. | shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri; |
| 5. | ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja. |
| 6. | Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve. |
| 7. | Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij. |
| 8. | Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. |
| 9. | Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë. |
| 10. | Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona. |
| 11. | Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij. |
| 12. | Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona. |
| 13. | Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij. |
| 14. | Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur. |
| 15. | Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës; |
| 16. | në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më. |
| 17. | Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve, |
| 18. | për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t'i zbatuar në praktikë. |
| 19. | Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka. |
| 20. | Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij. |
| 21. | Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij. |
| 22. | Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin! |
| ← Psalms (103/150) → |