| ← Psalms (102/150) → |
| 1. | O Zot, dëgjo lutjen time dhe britma ime arriftë tek ty. |
| 2. | Mos ma fshih fytyrën tënde ditën e fatkeqësisë sime. Zgjate ndaj meje veshin tënd; kur unë të kërkoj, nxito të më përgjigjesh. |
| 3. | Sepse ditët e mia davariten si tymi dhe kockat e mia digjen si urë zjarri. |
| 4. | Zemra ime është goditur dhe thahet si bari, dhe unë harroj madje të ha ushqim. |
| 5. | Duke vajtuar vazhdimisht, lëkura ime po u ngjitet kockave të mia. |
| 6. | I ngjaj pelikanit të shketëtirës dhe jam bërë si bufi i vendeve të shkretuara. |
| 7. | Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati. |
| 8. | Armiqtë e mi tallen me mua tërë ditën; ata që më përqeshin flasin kundër meje. |
| 9. | Sepse e ha hirin si buka dhe përzjej lotët me atë që pi. |
| 10. | Po, për shkak të indinjatës sate dhe të zemërimit tënd, më ngrite dhe më hodhe larg. |
| 11. | Ditët e mia janë si hija që zgjatet, dhe unë po thahem si bari. |
| 12. | Por ti, o Zot, mbetesh përjetë, dhe kujtimi yt zgjat brez pas brezi. |
| 13. | Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi. |
| 14. | Sepse shërbëtorët e tu i duan edhe gurët e tij dhe u vjen keq për pluhurin e tij. |
| 15. | Po, kombet do të kenë frikë nga emri i Zotit dhe gjithë mbretërit e dheut nga lavdia jote, |
| 16. | kur Zoti do të rindërtojë Sionin dhe do të duket në lavdinë e tij. |
| 17. | Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre. |
| 18. | Kjo do të shkruhet për brezin e ardhshmëm, dhe populli që do të krijohet do të lëvdojë Zotin, |
| 19. | sepse ai shikon nga lartësia e shenjtërores së tij; nga qielli Zoti këqyr dheun, |
| 20. | për të dëgjuar vajtimin e robërve, për të çliruar të dënuarit me vdekje; |
| 21. | me qëllim që në Sion të shpallin emrin e Zotit dhe në Jeruzalem lavdinë e tij, |
| 22. | kur popujt dhe mbretëritë do të mblidhen bashkë për t'i shërbyer Zotit. |
| 23. | Rrugës ai ka pakësuar fuqinë time dhe ka shkurtuar ditët e mia. |
| 24. | Kam thënë: "O Perëndia im, mos më merr në mes të ditëve të mia. Vitet e tua zgjasin brez pas brezi. |
| 25. | Së lashti ti ke vendosur tokën dhe qiejtë janë vepër e duarve të tua; |
| 26. | ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; do të konsumohen të gjithë si një rrobe; ti do t'i ndërrosh si një rrobe dhe ata do të ndryshohen. |
| 27. | Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund. |
| 28. | Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim dhe pasardhësit e tyre do të jenë të qëndrueshëm para teje". |
| ← Psalms (102/150) → |