← Psalms (10/150) → |
1. | O Zot, pse qëndron larg? Pse fshihesh në kohë fatkeqësish? |
2. | I pabesi me kryelartësinë e tij ndjek me dhunë të mjerin; ata do të kapen nga vetë kurthet që ata kanë kurdisur, |
3. | sepse i pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të tij, bekon grabitqarin dhe përbuz Zotin. |
4. | I pabesi, me arrogancën e fytyrës së tij, nuk e kërkon Zotin; tërë mendimet e tij janë: "Perëndia nuk ekziston". |
5. | Rrugët e tij lulëzojnë në çdo kohë; gjykimet e tua për të janë shumë të larta, larg kuptimit të tyre nga ana e tij; ai përqesh gjithë armiqtë e tij. |
6. | Ai thotë në zemër të tij: "Mua askush nuk më tund dot kurrë; nuk do të më ndodhë kurrë ndonjë e keqe". |
7. | Goja e tij është plot mallkime, hile dhe mashtrime; nën gjuhën e tij ka ligësi dhe paudhësi. |
8. | Ai rri në pritë në fshatra, vret të pafajshmin në vende të fshehta; sytë e tij përgjojnë fatkeqin. |
9. | Ai rri në pritë në vende të fshehta si luani në strofkën e tij; rri në pritë për të kapur të mjerin; ai e rrëmben të mjerin duke e tërhequr në rrjetën e tij. |
10. | Ai rri i strukur dhe i mbledhur, dhe fatzinjtë mposhten para forcës së tij. |
11. | Ai thotë në zemër të tij: "Perëndia harron, fsheh fytyrën e tij, nuk do ta shohë kurrë". |
12. | Çohu, o Zot; o Perëndi, ngre dorën tënde; mos i harro të mjerët. |
13. | Pse i pabesi përçmon Perëndinë? Ai thotë në zemër të tij: "Ti nuk do t'i kërkosh llogari". |
14. | Por ti e ke parë, sepse ti vëren me kujdes ligësinë dhe pikëllimin, për ta larë më pas me dorën tënde; fatkeqi i ka shpresat te ti; ti je ai që ndihmon jetimin. |
15. | Thyeja krahun të pabesit dhe të ligut; në rast se ti do të kërkosh ligësinë e tij, nuk do ta gjesh më. |
16. | Zoti është mbret përjetë; kombet janë zhdukur nga toka e tij. |
17. | O Zot, ti dëgjon dëshirën e njerëzve të përulur; ti e fortëson zemrën e tyre, veshët e tu janë të vëmendshëm, |
18. | për t'i dhënë të drejtë jetimit dhe të pikëlluarit, me qëllim që njeriu i krijuar nga dheu të mos kallë më tmerr. |
← Psalms (10/150) → |