← Proverbs (7/31) → |
1. | Biri im, ruaji fjalët e mia dhe urdhërimet e mia në veten tënde, |
2. | Ruaji urdhërimet e mia dhe ke për të jetuar; ruaji mësimet e mia si bebja e syve të tu. |
3. | Lidhi ndër gishta, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate. |
4. | Thuaji diturisë: "Ti je motra ime" dhe quaje "shok" gjykimin, |
5. | me qëllim që të të ruajnë nga gruaja e tjetrit nga gruaja e huaj që përdor fjalë lajkatare. |
6. | Nga dritarja e shtëpisë sime shikoja nëpër parmakët prej hekuri |
7. | dhe pashë midis budallenjve; dallova midis të rinjve një djalë të ri që s'kishte gjykim, |
8. | që kalonte nëpër rrugë pranë qoshes të gruas së huaj dhe drejtohej nga shtëpia e saj, |
9. | në muzg, kur po ngryste dita, ndërsa zbriste nata e zezë dhe e errët. |
10. | I doli para një grua e veshur si prostitutë dhe dinake; |
11. | ajo është turbulluese dhe provokuese, dhe nuk di t'i mbajë këmbët në shtëpinë e saj; |
12. | herë mbi rrugë, herë në sheshet qëndron në pritë në çdo qoshe. |
13. | Kështu e zuri dhe e puthi, pastaj me paturpësi tha: |
14. | "Duhet të bëja flijimet e falenderimit; pikërisht sot i plotësova zotimet e mia; |
15. | prandaj të dola para që të të kërkoj dhe të gjeta. |
16. | E zbukurova shtratin tim me një mbulesë si sixhade, me li të ngjyrosur nga Egjipti; |
17. | e parfumova shtratin tim me mirrë, me aloe dhe me kanellë. |
18. | Eja, të dehemi me dashuri deri në mëngjes, të kënaqemi në qejfe dashurie, |
19. | sepse burri im nuk është në shtëpi, por ka shkuar në një udhëtim të gjatë; |
20. | ka marrë me vete një thes të vogël me pare dhe do të kthehet në shtëpi vetëm kur të jetë hëna e plotë". |
21. | Ajo e mashtroi me fjalë bindëse, e tërhoqi me ëmbëlsinë e buzëve të saj. |
22. | Ai e ndoqi pa mëdyshje, si një ka që shkon në thertore, si një i lidhur në dënimin e budallait, |
23. | deri sa një shigjetë nuk i shpon mëlçinë; ai nxiton si një zog, pa ditur që një lak është ngritur kundër jetës së tij. |
24. | Prandaj, bij të mi, më dëgjoni, kushtojuni kujdes fjalëve të gojës sime. |
25. | Zemra jote të mos shkojë pas rrugëve të saj, mos devijo nëpër shtigjet e saj, |
26. | sepse ka rrëzuar shumë të plagosur për vdekje, dhe tërë ata që ajo ka vrarë ishin burra të fortë. |
27. | Shtëpia e saj është rruga e Sheolit që zbret në thellësitë e vdekjes. |
← Proverbs (7/31) → |