| ← Proverbs (6/31) → | 
| 1. | Biri im, në qoftë se je bërë garant për të afërmin tënd, në rast se ke dhënë dorën si garanci për një të huaj, | 
| 2. | je zënë në lakun e fjalëve të gojës sate, je zënë nga fjalët e gojës sate. | 
| 3. | Bëj këtë, pra, biri im, dhe shpengohu, sepse ke rënë në duart e të afërmit tënd. Shko, hidhu në këmbët e tij dhe ngul këmbë me të madhe te i afërmi yt. | 
| 4. | Mos u jep gjumë syve të tu as çlodhje qepallave të tua; | 
| 5. | çlirohu si gazela nga dora e gjahtarit, si zogu nga dora e atij që kap zogjtë. | 
| 6. | Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë. | 
| 7. | Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot; | 
| 8. | e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes. | 
| 9. | Deri kur, o përtac, do të rrish duke fjetur? Kur do të shkundesh nga gjumi yt? | 
| 10. | Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish me duar në ije për t'u çlodhur, | 
| 11. | kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës, dhe skamja jote si një njeri i armatosur. | 
| 12. | Njeriu pa vlerë, njeriu i keq, ecën me një gojë të çoroditur; | 
| 13. | luan syrin, flet me këmbët, bën shenja me gishta; | 
| 14. | ka ligësi në zemër, kurdis vazhdimisht të keqen dhe mbjell grindje. | 
| 15. | Prandaj shkatërrimi i tij do të vijë papritur, në një çast do të shkatërrohet pa rrugëdalje tjetër. | 
| 16. | Zoti i urren këto gjashtë gjëra, madje shtatë janë të neveritshme për të: | 
| 17. | sytë krenare, gjuha gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafajshëm, | 
| 18. | zemra që kurdis plane të këqija, këmbët që turren shpejt drejt së keqes, | 
| 19. | dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra dhe ai që shtie grindje midis vëllezërve. | 
| 20. | Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate. | 
| 21. | Mbaji vazhdimisht të lidhura në zemrën tënde dhe fiksoji rreth qafës sate. | 
| 22. | Kur do të ecësh, do të të udhëheqin; kur të pushosh, do të të ruajnë; kur të zgjohesh, do të flasin me ty. | 
| 23. | Sepse urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë, dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës, | 
| 24. | për të të mbrojtur nga gruaja e keqe, nga lajkat e gjuhës të gruas së huaj. | 
| 25. | Mos dëshiro në zemrën tënde bukurinë e saj dhe mos u rrëmbe nga qepallat e saj. | 
| 26. | Sepse për një prostitutë burri katandiset për një copë bukë, dhe gruaja e një tjetri gjuan shpirtin e vyer të një burri. | 
| 27. | A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit? | 
| 28. | A mund të ecë burri mbi qymyr të ndezur pa djegur këmbët e tij? | 
| 29. | Në këtë gjendje është ai që shkon tek gruaja e një tjetri; kush e prek nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. | 
| 30. | Nuk përçmohet hajduti që vjedh për të shuar urinë kur është i uritur; | 
| 31. | por në rast se kapet në faj, duhet të kthejë shtatëfishin, dhe të japë tërë pasurinë e shtëpisë së tij. | 
| 32. | Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij. | 
| 33. | Do të gjejë plagë dhe përçmim, dhe turpi i tij nuk do t'i hiqet kurrë. | 
| 34. | sepse xhelozia e tërbon bashkëshortin, që do të jetë i pamëshirshëm ditën e hakmarrjes. | 
| 35. | Ai nuk do të pranojë asnjë shpërblim dhe nuk do të kënaqet, edhe sikur t'i bëjnë shumë dhurata. | 
| ← Proverbs (6/31) → |