← Proverbs (4/31) → |
1. | Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni, |
2. | sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim. |
3. | Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënes sime, |
4. | ai më mësonte dhe më thoshte: "Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh. |
5. | Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre; |
6. | mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë. |
7. | Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë. |
8. | Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvehtëson. |
9. | Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie". |
10. | Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen. |
11. | Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë. |
12. | Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh. |
13. | Rroke mirë këtë mësim, mos e lër që të shkojë kot; ruaje, sepse ai është jeta jote. |
14. | Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij; |
15. | evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje. |
16. | Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë; |
17. | ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës. |
18. | Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë. |
19. | Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t'i rrëzojë. |
20. | Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia; |
21. | mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate; |
22. | sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre. |
23. | Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës. |
24. | Hiq dorë nga e folura me hile dhe largo prej teje buzët e çoroditura. |
25. | Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje. |
26. | Sheshoje shtegun e këmbëve të tua, dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë. |
27. | Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja. |
← Proverbs (4/31) → |