| ← Proverbs (31/31) |
| 1. | Fjalë të mbretit Lemuel, mesazhi profetik me të cilin e mësoi e ëma. |
| 2. | Çfarë të të them, biri im? Çfarë të të them, biri i barkut tim? Çfarë të të them, bir i zotimeve të mia? |
| 3. | Mos ua jep forcën tënde grave as jetën tënde asaj që shkatërron mbretërit. |
| 4. | Nuk u shkon mbretërve, o Lemuel, nuk u shkon mbretërve të pinë verë as princave të dëshirojnë pije dehëse, |
| 5. | sepse duke pirë të mos harrojnë ligjin dhe të mos shtrembërojnë të drejtën e të pikëlluarve. |
| 6. | Jepini pije dehëse atij që është duke vdekur dhe verë atij që e ka zemrën të hidhëruar. |
| 7. | Le të pijë për të harruar varfërinë e tij dhe për të mos kujtuar më hallet e tij. |
| 8. | Hape gojën tënde në favor të memecit, në mbrojtje të të gjithë atyre që janë lënë pas dore. |
| 9. | Hape gojën tënde, gjyko me drejtësi dhe mbro çështjen e të mjerit dhe të nevojtarit. |
| 10. | Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve. |
| 11. | Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime. |
| 12. | Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj. |
| 13. | Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta. |
| 14. | Ajo u përngjan anijeve të tregëtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg. |
| 15. | Çohet që me natë për t'i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t'u dhënë urdhërat e nevojshme shërbëtoreve të saj. |
| 16. | Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht. |
| 17. | Ngjesh me forcë ijët dhe i bën më të fortë krahët e saj. |
| 18. | E kupton që tregëtia e saj po shkon mbarë dhe llamba e saj e natës nuk i shuhet. |
| 19. | Shtrin dorën mbi furkën, pëllëmbat e saj zënë boshtin. |
| 20. | I shtrin dorën të varfërit dhe i jep dorën nevojtarit. |
| 21. | Nuk i trembet borës për familjen e saj, sepse tërë ata të shtëpisë së vet kanë një veshje të dyfishtë. |
| 22. | Bën për vete mbulesa si sixhade dhe rrobat e saj janë prej liri shumë të hollë dhe të purpurta. |
| 23. | Burri i saj nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit. |
| 24. | Përgatit rroba prej liri dhe i shet, i furnizon me breza tregtarët. |
| 25. | Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë. |
| 26. | Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë. |
| 27. | Ajo mbikqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë. |
| 28. | Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë: |
| 29. | "Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato". |
| 30. | Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet. |
| 31. | I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat. |
| ← Proverbs (31/31) |