← Proverbs (3/31) → |
1. | Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia, |
2. | sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje. |
3. | Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate; |
4. | do të gjesh kështu hir dhe arsye në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve. |
5. | Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; |
6. | pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua. |
7. | Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja; |
8. | kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua. |
9. | Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke; |
10. | hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht. |
11. | Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij, |
12. | sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen. |
13. | Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen. |
14. | Sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar. |
15. | Ajo është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të. |
16. | Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj. |
17. | Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja. |
18. | Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje. |
19. | Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarësinë i bëri të qëndrueshëm qiejtë. |
20. | Me diturinë e tij u hapën humnerat dhe retë japin vesë. |
21. | Biri im, këto gjëra mos u largofshin kurrë nga sytë e tu. Mbaje diturinë dhe të menduarit. |
22. | Ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim në qafën tënde. |
23. | Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet. |
24. | Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël. |
25. | Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë, |
26. | sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak. |
27. | Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh. |
28. | Mos i thuaj të afërmit tënd: "Shko dhe kthehu; do të të jap nesër", kur e ke me vete gjënë e nevojshme. |
29. | Mos kurdis asnjë të keqe kundër të afërmit tënd, ndërsa ai banon me besim bashkë me ty. |
30. | Mos bëj padi kundër askujt pa shkak; po të jetë se nuk të ka bërë asnjë të keqe. |
31. | Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij, |
32. | sepse Zoti e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij është për njerëzit e ndershëm. |
33. | Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve. |
34. | Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit. |
35. | Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend. |
← Proverbs (3/31) → |