← Proverbs (28/31) → |
1. | I pabesi ikën me vrap edhe në se askush nuk e ndjek, por i drejti është i sigurt si një luan. |
2. | Për shkak të mëkatit të një vendi, shumë janë të parët e tij, por me një njeri me mend që ka dituri qëndrueshmëria e tij vazhdon gjatë. |
3. | Një i varfër që shtyp të mjerët është si një shi me shtamba që nuk jep bukë. |
4. | Ata që braktisin ligjin lëvdojnë të pabesët; por ata që zbatojnë ligjin i luftojnë ata. |
5. | Njerëzit e këqij nuk e kuptojnë drejtësinë, por ata që e kërkojnë Zotin kuptojnë çdo gjë. |
6. | Më i mirë është i varfëri që ecën në ndershmëri nga njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugën dredha-dredha, edhe kur është i pasur. |
7. | Kush zbaton ligjin është një bir me mend, por shoku i grykësve turpëron atin e tij. |
8. | Kush i shton pasuritë e tij me fajde dhe me fitime të padrejta, i mbledh për atë që i vjen keq për të varfërit. |
9. | Në rast se dikush e kthen veshin gjetiu për të mos dëgjuar ligjin, vetë lutja e tij do të jetë një gjë e neveritshme. |
10. | Kush i fut njerëzit e drejtë në një rrugë të keqe, do të bjerë vetë në gropën e tij; por njerëzit e ndershëm do të trashëgojnë të mirën. |
11. | I pasuri mendon se është i matur, por i varfëri që është i zgjuar e kqyr fund e krye. |
12. | Kur të drejtët triumfojnë, ka lavdi të madhe, por kur mbizotërojnë të pabesët njerëzit fshihen. |
13. | Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën. |
14. | Lum ai njeri që ka frikë vazhdimisht nga Zoti, por ai që e fortëson zemrën e tij do të bjerë në fatkeqësi. |
15. | Një i pabesë që sundon mbi një popull të varfër është si një luan që ulërin dhe një ari i uritur. |
16. | Një princ pa mend zhvat shumë, por ai që urren fitimin e pandershëm ka për t'i zgjatur ditët e tij. |
17. | Njeriu mbi të cilin rëndon një vrasje do të turret deri në varr; asnjë të mos e ndihmojë! |
18. | Ai që ecën me ndershmëri do të shpëtohet, por njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugë dredha-dredha do të rrëzohet befas. |
19. | Kush punon tokën e tij do të ketë bukë me bollëk, por kush jepet pas kotësive do të ketë varfëri të madhe. |
20. | Njeriu besnik do të mbushet me bekime, por ai që nxiton të pasurohet nuk do të jetë pa faj. |
21. | Nuk është mirë të kesh preferenca vetiake; njeriu kryen mëkat për një copë bukë. |
22. | Njeriu me sy të keq dëshiron të pasurohet shpejt, por nuk e kupton se do ta pllakosë varfëria. |
23. | Kush qorton dikë ka për të gjetur pastaj favor më të madh se ai që i bën lajka me fjalë. |
24. | Kush vjedh atin e tij dhe nënën e tij dhe thotë: "Nuk është mëkat", është shok i atij që shkatërron. |
25. | Kush e ka zemrën të fryrë nga krenaria nxit grindje, por ai që ka besim te Zoti do të ketë mbarësi. |
26. | Kush i beson zemrës së tij është budalla, por ai që ecën me urtësi do të shpëtojë. |
27. | Ai që i jep të varfërit nuk do të ketë kurrë nevojë, por ai që i mbyll sytë e vet do të ketë shumë mallkime. |
28. | Kur të pabesët lartohen, njerëzit fshihen; por kur vdesin, të drejtët shumohen. |
← Proverbs (28/31) → |