| ← Proverbs (24/31) → |
| 1. | Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta, |
| 2. | sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen. |
| 3. | Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi. |
| 4. | Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme. |
| 5. | Njeriu i urtë është plot forcë, dhe njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij. |
| 6. | Sepse me këshilla të urta do të mund të bësh luftën tënde, dhe në numrin e madh të këshilltarëve është fitorja. |
| 7. | Dituria është shumë e lartë për budallanë; ai nuk e hap kurrë gojën te porta e qytetit. |
| 8. | Kush mendon të bëjë keq do të quhet mjeshtër intrigash. |
| 9. | Synimi i pamend është mëkat dhe tallësi është një neveri për njerëzit. |
| 10. | Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët. |
| 11. | Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore. |
| 12. | Po të thuash: "Ja, ne nuk e dinim", ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t'i japë secilit simbas veprave të tij. |
| 13. | Biri im, ha mjaltin sepse është i mirë; një huall mjalti do të jetë i ëmbël për shijen tënde. |
| 14. | Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet. |
| 15. | O i pabesë, mos ngre kurthe kundër banesës së njeriut të drejtë, mos shkatërro vendin ku ai pushon, |
| 16. | sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi. |
| 17. | Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet, |
| 18. | me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet. |
| 19. | Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët, |
| 20. | sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket. |
| 21. | Biri im, ki frikë nga Zoti dhe nga mbreti; mos u bashko me ata që duan të ndryshojnë; |
| 22. | mjerimi i tyre do të vijë papritmas, dhe shkatërrimin e të dy palëve kush e njeh? |
| 23. | Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim. |
| 24. | Ai që i thotë të pabesit: "Ti je i drejtë", do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin. |
| 25. | Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira. |
| 26. | Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët. |
| 27. | Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde. |
| 28. | Mos dëshmo pa arsye kundër të afërmit tënd dhe mos gënje me buzët e tua. |
| 29. | Mos thuaj: "Ashtu si ma bëri mua, kështu do t'ia bëj edhe unë; do t'ia kthej simbas sjelljes së tij". |
| 30. | Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s'ka mend; |
| 31. | dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur. |
| 32. | Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim: |
| 33. | të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar; |
| 34. | kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur. |
| ← Proverbs (24/31) → |