← Proverbs (22/31) → |
1. | Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari. |
2. | I pasuri dhe i varfëri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti. |
3. | Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen. |
4. | Çmimi i përvujtërisë është frika e Zotit, pasuria, lavdia dhe jeta. |
5. | Ferra dhe leqe gjenden në udhën e të çoroditurit; kush kujdeset për jetën e vet rri larg tyre. |
6. | Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket. |
7. | I pasuri sundon mbi të varfërit, dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit. |
8. | Kush mbjell padrejtësi ka për të korrur telashe dhe shufra e zemërimit të tij do të asgjesohet. |
9. | Njeriu me sy dashamirës do të bekohet, sepse i jep bukë të varfërit. |
10. | Përzëre tallësin dhe grindjet do të ikin bashkë me të; po, grindjet dhe fyerjet do të pushojnë. |
11. | Kush e do pastërtinë e zemrës dhe ka hir mbi buzët do ta ketë shok mbretin. |
12. | Sytë e Zotit ruajnë dijen, por ai i bën të kota fjalët e të pabesit. |
13. | Përtaci thotë: "Jashtë ka një luan; do të vritem rrugës". |
14. | Goja e gruas që shkel kurorën është një gropë e thellë; ai që ka zemëruar Zotin do të bjerë në të. |
15. | Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj. |
16. | Ai që shtyp të varfërin për t'u pasuruar dhe ai që i jep të pasurit, me siguri do të varfërohet. |
17. | Vëru veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve, dhe jepja zemrën dijes sime. |
18. | sepse për ty do të jetë e këndshme t'i ruash në intimitetin tënd dhe t'i kesh të gjitha gati mbi buzët e tua. |
19. | Me qëllim që besimin tënd ta kesh te Zoti, sot të kam mësuar, po, pikërisht ty. |
20. | A nuk të kam shkruar në të kaluarën aforizma që kanë të bëjnë me këshillimin dhe diturinë, |
21. | në mënyrë që të njohësh sigurinë e fjalëve të së vërtetës, me qëllim që t'u përgjigjesh me fjalë të vërteta atyre që të dërgojnë? |
22. | Mos e vidh të varfërin, sepse është i varfër, dhe mos e shtyp të mjerin te porta, |
23. | sepse Zoti do të mbrojë çështjen e tyre dhe do t'u heqë jetën atyre që i kanë zhveshur. |
24. | Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak, |
25. | që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd. |
26. | Mos u bëj si ata që japin dorën si garanci, që bëhen garant për borxhet e të tjerëve. |
27. | Në qoftë se nuk ke asgjë me se të paguash, pse duhet të të heqë shtratin poshtë vetes? |
28. | Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu. |
29. | A ke parë një njeri të papërtueshëm në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit dhe nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur. |
← Proverbs (22/31) → |