| ← Proverbs (21/31) → |
| 1. | Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai. |
| 2. | Çdo rrugë e njeriut është e drejtë në sytë e tij, por Zoti i peshon zemrat. |
| 3. | Të zbatosh drejtësinë dhe paanësinë është një gjë që i pëlqen Zotit më shumë se flijimi. |
| 4. | Sytë krenarë dhe një zemër kryelartë, që janë llamba e të pabesëve, janë mëkat. |
| 5. | Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri. |
| 6. | Të përftosh thesare me një gjuhë gënjeshtare është një kotësi kalimtare e atij që kërkon vdekjen. |
| 7. | Dhuna e të pabesëve merr tutje, sepse ata nuk pranojnë të zbatojnë drejtësinë. |
| 8. | Rruga e njeriut të fajshëm është dredha-dredha, por njeriu i drejtë vepron ndershmërisht. |
| 9. | Éshtë më mirë të banosh mbi qoshen e një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece. |
| 10. | Shpirti i të pabesit dëshiron të keqen; as shoku i tij nuk gjen mëshirë në sytë e tij. |
| 11. | Kur tallësi ndëshkohet, i thjeshti bëhet i urtë; por kur i urti mësohet ai fiton dije. |
| 12. | I drejti vëren me kujdes shtëpinë e të pabesit dhe përmbys të pabesët, sepse janë të këqij. |
| 13. | Kush mbyll veshin ndaj britmës së të varfërit, do të bërtasë edhe ai, por nuk do të ketë përgjigje. |
| 14. | Një dhuratë që bëhet fshehtas e fashit zemërimin dhe një dhuratë që jepet nën dorë qetëson zemërimin e fortë. |
| 15. | Të bësh atë që është e drejtë është një gëzim për të drejtin, por është një rrënim për ata që kryejnë paudhësi. |
| 16. | Njeriu që largohet nga rruga e maturisë ka për të banuar në kuvendin e të vdekurve. |
| 17. | Ai që i do qejfet do të jetë në varfëri, ai që e do verën dhe vajin nuk do të pasurohet. |
| 18. | I pabesi do t'i shërbejë si shpërblim të drejtit; dhe i paudhi në vend të njerëzve të drejtë. |
| 19. | Éshtë më mirë të banosh në një shkretëtirë se sa me një grua grindavece dhe ngacmuese. |
| 20. | Në shtëpinë e të urtit ka një thesar të çmuar dhe vaj, por njeriu budalla i bën të gjitha rrush e kumbulla. |
| 21. | Kush ndjek drejtësinë dhe dhembshurinë ka për të gjetur jetën, drejtësinë dhe lavdinë. |
| 22. | I urti ngjitet në qytetin e njerëzve të fortë dhe rrëzon forcën në të cilën kishte besim. |
| 23. | Kush ruan gojën dhe gjuhën e tij mbron jetën e tij nga fatkeqësitë. |
| 24. | Emri i krenarit pa cipë është: "tallës"; ai çdo gjë e bën me një mburrje të tepruar. |
| 25. | Dëshirat e përtacit e vrasin atë, sepse duart e tij nuk pranojnë të punojnë. |
| 26. | Ai dëshiron me zjarr tërë ditën, por i drejti dhuron duke mos refuzuar kurrë. |
| 27. | Flijimi i të pabesit është gjë e neveritshme, aq më tepër në rast se e ofron me qëllim të keq. |
| 28. | Dëshmitari i rremë do të vdesë, por njeriu që e dëgjon do të mund të flasë gjithnjë. |
| 29. | I pabesi e fortëson fytyrën e tij, por njeriu i drejtë e bën të qëndrueshme rrugën e tij. |
| 30. | Nuk ka as dituri, as zgjuarësi dhe as këshillë kundër Zotit. |
| 31. | Kali është gati për ditën e betejës, por fitorja i përket Zotit. |
| ← Proverbs (21/31) → |