| ← Proverbs (20/31) → |
| 1. | Vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë. |
| 2. | Frika e mbretit është si ulërima e luanit; kush ia nxit zemërimin mëkaton kundër vetë jetës së vet. |
| 3. | Éshtë një lavdi për njeriun t'u shmanget grindjeve, por çdo budalla përzihet në to. |
| 4. | Përtaci nuk lëron për shkak të të ftohtit; për pasojë do të lypë në kohën e vjeljeve, por nuk do të ketë asgjë. |
| 5. | Këshilla në zemrën e njeriut është si uji i thellë, por njeriu me mend do të dijë të mbushë nga ai ujë. |
| 6. | Shumë njerëz shpallin mirësinë e tyre; por kush mund të gjejë një njeri besnik? |
| 7. | I drejti ecën në ndershmërinë e tij; bijtë e tij do të bekohen pas atij. |
| 8. | Një mbret që ulet mbi fronin e gjyqit davarit me vështrimin e tij çdo të keqe. |
| 9. | Kush mund të thotë: "Pastrova zemrën time, jam i pastruar nga mëkati im"? |
| 10. | Peshimi i dyfishtë dhe matja e dyfishtë janë që të dyja gjëra të neveritshme për Zotin. |
| 11. | Edhe fëmija me veprimet e tij tregon në se ajo që bën është e pastër dhe e ndershme. |
| 12. | Veshin që dëgjon dhe syrin që sheh i ka bërë që të dy Zoti. |
| 13. | Mos e duaj gjumin që të mos varfërohesh; mbaji sytë hapur dhe do të kesh bukë sa të ngopesh. |
| 14. | "Éshtë i keq, është i keq", thotë blerësi; por mbasi ai ka ikur, lavdërohet për blerjen. |
| 15. | Ka flori dhe margaritarë të shumtë, por buzët e pasura me dije janë një xhevahir i çmuar. |
| 16. | Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj, dhe mbaje si peng për gruan e huaj. |
| 17. | Buka e nxjerrë me hile është e ëmbël për njeriun, por pastaj goja e tij do të mbushet me zaje. |
| 18. | Planet bëhen të qëndrueshme nga këshilla; prandaj bëje luftën me këshilla të urta. |
| 19. | Ai që shkon poshtë e lart duke përfolur tregon sekretet; prandaj mos u shoqëro me atë që flet tepër. |
| 20. | Atij që mallkon të atin dhe të ëmën, llamba do t'i shuhet në terrin më të madh. |
| 21. | Trashëgimia e fituar me nxitim në fillim, nuk do të bekohet në fund. |
| 22. | Mos thuaj: "Do t'i përgjigjem së keqes me të keqen"; ki shpresë te Zoti dhe ai do të të shpëtojë. |
| 23. | Peshimi i dyfishtë është i neveritshëm për Zotin dhe peshorja e pasaktë nuk është një gjë e mirë. |
| 24. | Hapat e njeriut vijnë nga Zoti; si mund ta njohë, pra, njeriu rrugën e vet? |
| 25. | Éshtë një kurth për njeriun të marrë një zotim pa e matur mirë dhe, mbasi ta ketë marrë, të mendohet. |
| 26. | Një mbret i urtë i shpartallon njerëzit e këqij dhe kalon mbi ta rrotën. |
| 27. | Shpirti i njeriut është llamba e Zotit, që vëzhgon tërë skutat më të fshehta të zemrës. |
| 28. | Mirësia dhe besnikëria ruajnë mbretin; ai e bën të qëndrueshëm fronin e tij me anë të mirësisë. |
| 29. | Lavdia e të rinjve është forca e tyre, nderi i pleqve janë thinjat e tyre. |
| 30. | Të rrahurat që lënë plagë të thella e heqin të keqen, ashtu si goditjet që vijnë në pjesën më të brendshme të zorrëve. |
| ← Proverbs (20/31) → |