| ← Proverbs (19/31) → |
| 1. | Éshtë më i mirë një i varfër që ecën në ndershmërinë e tij se sa ndonjë që është i çoroditur nga buzët dhe që është budalla. |
| 2. | Përveç kësaj nuk është mirë që një shpirt të jetë pa dije; kush ecën me hapa të shpejta gabon rrugë. |
| 3. | Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit. |
| 4. | Pasuritë sigurojnë një numër të madh miqsh, por i varfëri ndahet nga vet miku i tij. |
| 5. | Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar dhe ai që thotë gënjeshtra nuk do të ketë shpëtim. |
| 6. | Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit dhe të gjithë janë miq të atij që bën dhurata. |
| 7. | Të gjithë vëllezërit e të varfërit e urrejnë atë, aq më tepër largohen prej tij miqtë e vet. Ai mund t'u shkojë pas me fjalë, por ata nuk gjenden më. |
| 8. | Kush fiton mënçuri do vetë jetën e tij dhe ai që mbetet i matur do të gjejë të mirën. |
| 9. | Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar, dhe ai që thotë gënjeshtra do të humbasë. |
| 10. | Të jetuarit në kënaqësi nuk i shkon budallait, dhe aq më pak një shërbëtori të sundojë mbi princat. |
| 11. | Mënçuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t'i kapërcejë fyerjet. |
| 12. | Zemërimi i mbretit është si ulërima e një luani, por favori i tij është si vesa mbi bar. |
| 13. | Një bir budalla është një fatkeqësi për të atin, dhe grindjet e vazhdueshme të bashkëshortes së tij janë si një e pikuar e vazhdueshme. |
| 14. | Shtëpia dhe pasuritë janë trashëgimi nga etërit, por një bashkëshorte e mënçur vjen nga Zoti. |
| 15. | Përtacia të bën të biesh në një gjumë të thellë dhe njeriu i plogët do të vuajë nga uria. |
| 16. | Kush respekton urdhërimin ruan jetën e tij, por ai që lë pas dore sjelljen e tij ka për të vdekur. |
| 17. | Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t'ia kthejë ato që i ka dhënë. |
| 18. | Ndëshko birin tënd sa ka shpresë, por mos u shty deri sa të shkaktosh vdekjen e tij. |
| 19. | Njeriu shumë gjaknxehtë duhet të ndëshkohet si pasojë e kësaj, sepse po nuk u ndëshkua, ai do të bëhet edhe më tepër gjaknxehtë. |
| 20. | Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua. |
| 21. | Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar. |
| 22. | Ajo që dëshiron njeriu është mirësia dhe një i varfër vlen më tepër se një gënjeshtar. |
| 23. | Frika e Zotit të çon në jetë; kush e ka do të mbetet i ngopur dhe nuk do të preket nga asnjë e keqe. |
| 24. | Përtaci e zhyt dorën e tij në pjatë, por nuk arrin as ta çojë në gojë. |
| 25. | Godite tallësin dhe njeriu i thjeshtë do të bëhet mëndjehollë; qorto atë që ka mend dhe ai do të fitojë dituri. |
| 26. | Kush përdor dhunë me të atin dhe dëbon nënen e tij, është një faqenxirë dhe me turp. |
| 27. | Biri im, mos dëgjo më mësimet, dhe do të largohesh nga fjalët e diturisë. |
| 28. | Dëshmitari i lig tallet me drejtësinë dhe goja e të pabesëve gëlltit padrejtësinë. |
| 29. | Ndëshkimet janë përgatitur për tallësit dhe goditjet për kurrizin e budallenjve. |
| ← Proverbs (19/31) → |