← Proverbs (18/31) → |
1. | Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë. |
2. | Budallai nuk gjen kënaqësi te maturia, por vetëm në të vënit në dukje të zemrës së tij. |
3. | Kur vjen i pabesi vjen edhe përçmimi dhe bashkë me humbjen e nderit vjen turpi. |
4. | Fjalët e gojës së një njeriu janë ujëra të thella; burimi i diturisë është si një rrjedhë uji që shkon duke gurgulluar. |
5. | Nuk është mirë të preferosh të pabesin, apo të shkaktosh humbjen e të drejtit në gjyq. |
6. | Buzët e budallait të çojnë në grindje, dhe goja e tij kërkon goditje. |
7. | Goja e budallait është shkatërrimi i tij dhe buzët e tij janë një lak për jetën e tij. |
8. | Fjalët e shpifësit janë si një gjellë shumë e shijshme që zbret thellë në zorrë. |
9. | Edhe ai që është përtac në punën e tij është vëlla i planprishësit. |
10. | Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri. |
11. | Pasuria e kamësit është qyteti i tij i fortë dhe simbas mendimit të tij ajo është si një mur i lartë. |
12. | Përpara shkatërrimit, zemra e njeriut ngrihet, por para lavdisë vjen përulësia. |
13. | Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet. |
14. | Fryma e njeriut i jep krahë në sëmundjen e tij, por kush mund ta ngrerë një frymë të demoralizuar? |
15. | Zemra e njeriut të matur fiton dituri, edhe veshi i të urtëve kërkon diturinë. |
16. | Dhurata e njeriut i hap rrugën dhe e çon në prani të të mëdhenjve. |
17. | I pari që mbron çështjen e vet duket sikur ka të drejtë; por pastaj vjen tjetri dhe e shqyrton. |
18. | Fati u jep fund grindjeve dhe i ndan të fuqishmit. |
19. | Një vëlla i fyer është si një qytet i fortë; dhe grindjet janë si shulat e një kalaje. |
20. | Njeriu e ngop barkun me frytin e gojës së tij, ai ngopet me prodhimin e buzëve të tij. |
21. | Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës; ata që e duan do të hanë frytet e saj. |
22. | Kush ka gjetur grua ka gjetur një gjë të mirë dhe ka siguruar një favor nga Zoti. |
23. | I varfëri flet duke u lutur, kurse i pasuri përgjigjet me ashpërsi. |
24. | Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik, por është një mik që është më i lidhur se një vëlla. |
← Proverbs (18/31) → |